Komisioni mbylli debatin për regjistrimin, 200 amendamente e opozitës nuk u shqyrtuan

95 deputetë miratuan nevojën e ndryshimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë kurse 7 prej tyre u deklaruan kundër. Propozim ndryshimi ligjor parashikon shtyrjen e regjistrimit të popullsisë brenda vendit për në shtator. Opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për ta kundërshtuar atë dorëzuan 200 amendamente të cilat u cilësuan si të parregullta nga aspekti formal për t’u shqyrtuar në Komisionin për çështje evropiane. Nuk u pranuan as tre amendamentet e “Të majtës”. Pas komisionit, procedura kalon për votim përfundimtar në seancë plenare.

Marketing
Arsyeja është kryekëput politike dhe kryekëput në dëm të shqiptarëve. Për arsye se realisht të gjithë subjektet politike, të gjithë shqiptarët, të gjithë faktorët relevant u angazhuan që diaspora shqiptare në mënyrë masive të regjistrohet. Andaj i lus dhe kërkoj nga deputetët e BDI-së të mos e përkrahin këtë propozim-ligj, të mos lejojmë që të na përsëritet 2011-2012- deklaroi Skender Rexhepi, koordinator i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

 Propozim-ligji nuk e ndërpret procesin e regjistrimit të diasporës por përkundrazi, propozim-ligji një fjalë që është sot në votim, përskaj afatit 1 mars-21 prill e vazhdon afatin e regjistrimit të diasporës deri në afatin kur duhet të mbarojë regjistrimi brenda vendit më 30 shtator- tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

 Nisma për shtyrjen e regjistrimit erdhi pas takimit të liderëve Zaev dhe Mickoski, të hënën. Ajo ndryshon datat e zbatimit të regjistrimit në terren kurse parashikon që regjistrimi elektronik i diasporës të vijojë deri në përfundim të shtatorit.

Po si rezultat i takimit të liderëve, në Kuvend u procedua edhe nisma për ndryshimin e Kodit zgjedhor. Ajo ka të bëjë me krijimin e kushteve ligjore për përdorimin e terminaleve për shenjat e gishtave gjatë votimit si dhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale për në gjysmën e dytë të muajit tetor. Nevoja për ndryshimin e Kodit zgjedhor u votua unanimisht nga të gjithë deputetët prezent në sallë dhe shqyrtohet më tej në Komisionin për sistem politik.

Marketing