“Duhet të tregohet edhe ana tjetër e medaljes dmth nga gjithsej 3 milion denarë për shqiptarët ndahen vetëm 200 mijë denarë. E vërtetë është se KF Bashkimit i ndahen 200.000 denarë, kurse klubeve maqedonase si: Klubi i Basketbollit për femra 750 mijë denarë, Klubi i basketbollit të të rinjve Kumanovë 380 mijë denarë, Klubi i futbollit të qytetit të Kumanovës 900 mijë denarë, Klubi i hendbollit për meshkuj Kumanovë 380 mijë denarë dhe Klubi i hendbollit për femra Kumanovë 390 mijë denarë”.
Reagimi i mësipërm vjen nga një burim i yni brenda Këshillit komunal, pas informacioneve nga këshilltarët komunal shqiptarë, Driton Sulejmani dhe Huzeir Mustafa se për KF Bashkimi Komuna e Kumanovës do të ndajë 200 mijë denarë.
Nuk është hera e parë që vërehet diferenca e madhe e mbështetjes së klubeve shqiptare dhe atyre maqedonase. Tërheq vëmendjen dallimi i Klubit të Futbollit “Kumanovo” dhe KF Bashkimi. Edhe pse “Bashkimi” garon në Ligën e dytë futbollistike merr shumë më pak të holla se “Kumanovo” që merr pjesë në Ligën e tretë. Qartazi dallohet tendenca nacionaliste e Komunës, sepse veç meritokraci nuk ka, ndërsa vet kryekomunari Maksim Dimitrievski krekoset se nuk bën dallime etnike. (Open-TV)