Komuna të caktuara të Shkupit përballen me shkolla të mbipopulluara me nxënës duke pamundësuar realizimin e procesit mësimor me një ndërrim. Në Komunën e Çairit, thuajse të gjitha shkollat fillore kanë mbi 1.200 nxënës pavarësisht që kapaciteti i këtyre objekteve parasheh realizim të procesit mësimor me rreth 700 nxënës. Nga Komuna e Çairit thanë se së shpejti pritet të fillojë ndërtimi i një objekti të ri shkollor në lokacionin ku tashmë funksionon shkolla fillore me qendër resursesh “Idnina”.
“Në fakt do të bëhen dy objekte, një do të jetë për shkollën “Idnina” dhe një objekt i posaçëm që do të jetë shkollë e re fillore në Çair që mendojmë se do ta lehtëson pak punën e shkollës “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi” që nxënësit të regjistrohen në këtë shkollë të re mirëpo mendoj se nuk do ta zgjidh krejtësisht problemin e stërngarkimit të shkollave. Sepse kemi problem edhe te shkolla “Hasan Prishtina” ku kemi një numër mbi 1.200 nxënës, poashtu shkollat “Ademi Jashari” dhe “Liria” me afërsisht nga një mijë nxënës, të gjitha shkollat në Komunën e Çairit kanë mjaft nxënës dhe klasat ose hapsirat janë problematikë në vete”, tha Ferdi Baftiu, përgjegjës për Arsim, Çair.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se më problematike për mbindërtim të shkollave paraqiten komunat Kisella Voda dhe ajo e Aerodromit ku procesi zhvillohet me ritëm më të ngadalësuar. Sipas Janevskës, për momentin MASH po punon në projektin që do të përfshijë mbi 100 shkolla ku duhet intervenuar për zgjerim të këtyre objekteve.
“Në këtë moment, ministria është duke bërë një analizë të gjerë për ndërtimin e klasave shtesë, ku nevojiten deri në gjashtë klasa dhe tashmë kemi caktuar disa shkolla të tilla në të gjithë vendin. Ai projekt ka përfunduar, ne vazhdojmë të shohim se sa shkolla kanë nevojë nga gjashtë klasa e deri në 10 ose 15 por mund të jenë edhe shkolla të reja. Por, ju e dini, në disa komuna kemi problem edhe me planet urbanistike, ndoshta duhen mbindërtime por për momentin po punojmë në mbi njëqind shkolla të tilla, do të mbulojmë të gjithë territorin”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Gjithashtu, Janevska bëri të ditur se tashmë në 141 shkolla të vendit procesi mësimor realizohet në një ndërrim. /Alsat.mk