Vdekja e parë është shënuar në protestat anti-qeveritare në Kubë.
Autoritetet kubane kanë konfirmuar se një burrë u vra gjatë trazirave, konfirmimi i parë i një vdekje që nga shpërthimi i protestave.
Mediat shtetërore thonë se Diubis Laurencio Tejeda, 36 vjeç, vdiq të hënën në një periferi të kryeqytetit Havana.
Sipas zyrtarëve, ai ishte pjesë e një grupi që sulmonte një strukturë qeveritare. Por dëshmitarët thonë se forcat e sigurisë kishin në shënjestër anëtarët e grupit.
Protestat e rralla mbarëkombëtare antiqeveritare filluan të dielën.
Mijëra veta dolën në rrugë për të demonstruar për kolapsin e ekonomisë, mungesat e ushqimit dhe ilaçeve, rritjen e çmimeve dhe për trajtimin e pandemisë nga Qeveria. Megjithatë, tubimet e tilla s’janë të lejuara në Kubë.
Presidenti Miguel Díaz-Canel i ka quajtur demonstruesit “kundërrevolucionarë”.
Qeveria e tij pretendon se protestat janë financuar dhe nxitur nga Shtetet e Bashkuara dhe fajëson ato për problemet e Kubës për shkak të sanksioneve ekonomike të SHBA-së.