Inspektorati i Mjedisit dhe Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike ka konstatuar se koncesioni që Ministria e Ekonomisë i ka dhënë kompanisë “Europrogress” për eksploatim në lumin Pçinjë në Konjaren e Mesme në Shkup është në kundërshtim me Ligjin për Ujëra.
Drejtoresha e Inspektoratit Ana Petrovska, bën të ditur se parregullsi janë gjetur edhe në procedurën për vazhdimin e lejes për punë të vitit 2019, e cila është dhënë duke u bazuar në elaborat të vitit 2010, i ripërpunuar me të dhëna nga elaborati i vitit 2009.
Nga Inspektorati i Mjedisit do të kërkojnë nga Inspektorati Teknik që të urdhërojë ndërprerje të punimeve deri në përgatitjen e elaboratit të ri.
“Që këto të dhëna të jenë plotësisht të vlefshme, duhen bërë edhe njëherë matje të detajuara në terren, por nuk presim që rezultatet në analizat e ardhshme të jenë të ndryshme nga këto preliminare. Është e qartë se është bërë lëshim në procedurë, duke marrë parasysh se leja për vazhdim të koncesionit në pjesën B është dhënë në vitin 2019 duke u bazuar në elaborate të bërë në vitin 2010.”,- tha Ana Petrovska nga Inspektoratit të Mjedisit.
Për rishikim të procedurave dhe respektim të rregullores për dhënien e lejes u shpreh edhe Ministri i Ambientit. Banorët e mirëpritën paralajmërimin për ndërprerje të koncesionit.
Por deri në sjelljen e vendimit nga ana e Inspektoratit, kompania “Europrogress” vazhdon punën pa u prononcuar rreth ankesave të banorëve dhe paralajmërimit të institucioneve.