Ballina Lajme Maqedoni Kontrolle të ashpra gjatë provimit të Maturës Shtetërore

Kontrolle të ashpra gjatë provimit të Maturës Shtetërore

Testi i provimeve të Maturës Shtetërore për nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut, këtë vit do të mbahet në sallat sportive apo korridoret e shkollave dhe jo si deri më tani në klasa ku kishte nga 15 nxënës.

Marketing

Ky vendim nga Ministria e Arsimit është marrë për të shmangur të gjitha parregullsitë gjatë mbajtjes së provimeve që janë pjesë e Maturës Shtetërore.

Testimi më rigoroz, thonë nga Ministria e Arsimit, do të kontribuojë dhe për seleksionimin më të drejtë të nxënësve në fakultete, për të cilat ka më shumë interesim.

Testimi i maturantëve me rregulla të reja pason skandalin e vitit të kaluar kur pyetjet e maturës me përgjigje u shpërndanë në një grup në rrjetin social Viber, ku ishin mbi 7 mijë maturantë menjëherë pasi filloi procesi i testimit. Me këtë rast u konstatua se më shumë se gjysma e nxënësve kishin kopjuar gjatë dhënies së provimit të gjuhës angleze.

Qendra Shtetërore e Provimeve në fund të prillit në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Shkup “Pançe Karagjozov”, ka simuluar provimin e Maturës Shtetërore për të parë nëse risitë këtë vit janë të realizueshme dhe defektet eventuale gjatë realizmit të procesit të këtyre provimeve.

Bilana Mihajlovska, drejtoreshë e Qendrës Shtetërore të Provimeve, tha për Radion Evropa e Lirë se simulimi i provimit ka pasur për qëllim që të shihet se si do të dukej dhënia e provimit në hapësira më të mëdha, kontrollimi i sistemit si dhe organizimi i mësimdhënësve që do të kujdesen për mirëvajtjen e procesit, përkatësisht eliminimin e keqpërdorimeve nga nxënësit.

“Derisa vitin e kaluar një profesor kujdesej për 15 nxënës në një klasë, tani sërish do të kujdeset po për 15 nxënës, por në një hapësirë më të madhe pasi kishim takim me të gjithë drejtorët e shkollave dhe shqyrtuam kapacitetet me të cilat disponojmë. Ne bëmë dhe një provë në një shkollë të mesme – të asaj që është e re -se si do të dukej në një hapësirë të madhe. U habitëm sepse mbi 90 për qind e studentëve erdhën për të parë vetë se si do të dukej procesi”.

“Ne u dhamë atyre një orë për të shkruar një ese në maqedonisht dhe shqip dhe më pas do t’u japim komente në mënyrë që ata të dinë nëse e kanë marrë me mend strukturën, nëse po mendojnë mirë, por kjo nuk është eseja që do të marrin në realitet, diplomim”, tha Mihajlovska.

Nga ana tjetër, Berin Muhammed, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme thotë për REL-in se nxënësit ndihen të zhgënjyer pasi nga Ministria e Arsimit fillimisht u ishte premtuar se në teste do të jenë 30 pyetje nga 500 që ishin publikuar më herët nga ky institucion për maturantët në çdo lëndë dhe më pas është theksuar se pyetjet do të jenë të ngjashme por jo të njëjtat.

“Në fillim të vitit kemi marrë 500 pyetje me përgjigje për çdo lëndë. Mirëpo, edhe pse zyrtarët e Ministrisë së Arsimit na thanë se në provimin e maturës do të marrim 30 pyetje identike nga ato 500, Qendra Shtetërore e Provimeve bëri me dije se kjo nuk është e mundur sipas ligjit, por se do të marrim pyetje të ngjashme”, thotë Muhamedi.

Ekspertët e arsimit thonë se vlerësimi i provimit të Maturës Shtetërore duhet të ketë rregulla të qarta dhe rigoroze në mënyrë që notat që do të merren, të jenë të përcaktuese për sa i përket orientimit të nxënësve në fakultete.

“Të gjitha testimet duhet të jenë rigoroze dhe jo vetëm provimet e maturës. Te ne ka kaluar provimi i maturës si diçka shumë e trishtueshme. Matura, në vend se të paraqesë akt solemn të përfundimit të shkollës së mesme dhe verifikimit të dijes gjatë një cikli të procesit arsimor, ne e bëjmë si akt të trishtueshëm dhe te nxënësit krijohet efekt negativ”, thotë për REL-in, Naser Miftari, profesor në gjimnazin “Zef Lush Marku”, në Shkup pjesë e projektit Shkollat e shekullit XXI.

Maturantët në Maqedoninë e Veriut, vitin shkollorë 2023-2024 do ta përfundojnë më 17 maj dhe pas do t’u nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore, që do të zhvillohen më 1 dhe 8 qershor.

Ndryshe Matura Shtetërore në Maqedoninë e Veriut u dedikohet nxënësve të gjimnazeve dhe shkollave të arsimit të mesëm profesional katërvjeçar.

Diploma e Maturës Shtetërore, krahas asaj që është pjesë përbërëse e përfundimit të arsimit të mesëm, ka për qëllim të shërbejë edhe për seleksionimin e kandidatëve për regjistrim në arsimin e lartë.

Matura shtetërore në Maqedoninë e Veriut mbahet sipas programeve të posaçme të provimit, të cilat bazohen në programet arsimore për lëndët përkatëse, të cilat janë të përfshira në listën për Maturë Shtetërore.

Matura Shtetërore përfshin lëndët e obligueshme, ato zgjedhore, si dhe detyrën projektuese.

Sipas shifrave zyrtare të Qendrës Shtetërore të Provimeve, numri më i madh i nxënësve të regjistruar që do t’u nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore është nga shkollat e mesme profesionale, gjithsej 8 mijë e 230 nxënës nga e gjithë Maqedonia e Veriut. Më pas vijojnë gjimnazistët – 6 mijë 341 nxënës, si dhe maturantët e Shkollës së Mesme Artistike – gjithsej 263 nxënës./REL

Exit mobile version