Kosova e nis në “transfertë”, ndaj Moldavisë për të marrë fitoren

Kosova nuk e ka mbyllur ende edicionin e parë të Ligës së Kombeve, ku shpreson të fitojë një vend për Kampionatin Europian 2020, por që ndeshjet Play Off u shtynë për shkak të koronavirusit.

Marketing

Megjithatë “Dardanët” do të rikthehen sonte në fushë për të luajtur ndeshjen e parë të edicionit të dytë të këtij kompeticioni, përballë Moldavisë në transfertë.

Këta të fundit nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet të pavarur dhe as pasaportat e saj, ndaj kanë vendosur që përballjen e mbrëmjes së sotme ta luajnë në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës, në Itali.

Të udhëhequr nga trajneri zviceran Bernard Challandes, “Dardanët” mbërritën në Itali pasditen e djeshme, ndërsa skuadrës iu bashkuan edhe 7 futbollistë, të cilët ishin në listën e të grumbulluarve, por që nuk ishin lejuar të udhëtojnë drejt Prishtinës nga klubet respektive.

Trajneri zviceran do të ketë thuajse të gjithë futbollistët në dispozicion të tij, me përjashtim të sulmuesve Vedat Muriqi e Edon Zhegrova, tē cilët janë të dëmtuar dhe nuk janë grumbulluar fare për këto takime.