Kosovarja: Çfarë ndjenje kur zgjohesh në mëngjes dhe e kupton që ia ke dalë

Kosovare Asllani nuk mund ta përshkruajë ndjesinë e të qenit gjysmëfinales në Kupën e Botës për Gra me ekipin e saj kombëtar, Suedinë, për të cilin thotë se është krenare.

Marketing

Futbollistja me origjinë nga Kosova, Kosovare Asllani i ndihmoi Suedisë ta tronditë dy herë kampionen e botës, Gjermaninë, duke e mposhtur 2:1 të shtunën në Francë,.

Asllani nuk dëshiron të humbasë kohë duke e festuar fitoren e parë të Suedisë ndaj Gjermanisë në një turne të madh që prej vitit 1991, duke thënë se tani është koha për të luftuar për medalje.

“Çfarë ndjesie madhështore të zgjohesh duke e ditur se NE ia kemi dalë! Jam krenare me ekipin dhe mirënjohëse për përkrahjen. Tani koha për të luftuar për medalje”, shkroi Asllani në Instagram.

Suedia do të përballet me Holandën në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Gra, e cila zhvillohet këtë të mërkure në Lyon.

Asllani, e lindur në Kristianstad nga prindër kosovarë, i ka shënuar dy gola deri tani në këtë turne për Suedinë. Ajo shënoi në dy fitoret e Suedisë në dy ndeshjet e para në Grupin F, kundër Kilit 2:0 dhe kundër Tajlandës 5:1. /Gazeta Express/