Kosovë, Mbyllet afati për aplikim në KQZ, në garë tre kandidatë për kryeministër, 1079 për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur afatin e aplikimit të subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetët që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021.

Marketing

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se gjatë kohës së rezervuar janë dorëzuar për aplikim dhe certifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsejt: 28 subjekte politike, prej tyre: 21 parti politike; 2 koalicione; dhe 5 iniciativa qytetare.

Elezi njoftoi se numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1 079 kandidatë.

“Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 8 janar – 16 janar, kanë dorëzuar aplikimin për çertifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsejt: 28 subjekte politike, prej tyre: 21 parti politike; 2 koalicione; dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1 079 kandidatë”, tha Elezi.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 14 shkurt.

Këtë listë e dorëzoi, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi i cili tha se sado që kjo garë do të jetë e ashpër, beson se LDK-ja do të jetë fituese.

“Besoj se është lista më e mirë në këtë garë zgjedhore. Listë e cila udhëhiqet nga kryeministri aktual dhe kryeministri i ardhshëm, Avdullah Hoti. Megjithëse do të jetë një garë e ashpër, LDK-ja do të dal fituese në këtë garë. Kemi një proces të verifikimit nga KQZ-ja, prandaj do ta presim edhe atë pastaj do të prezantojmë kandidatët”, tha Abrashi.

Për disa nga partitë politike tashmë janë bërë të ditura edhe listat e kandidatëve.

Lëvizja Vetëvendosje përmes Facebook-ut, ka publikuar listën e plotë të kandidatëve për deputetë të përbërë nga 110 emra.

Pjesë e kësaj liste është konfirmuar se janë edhe Vasfije Krasniqi, dhe babai i Arbnor e Astrit Deharit. Avni Dehari.

Ndryshe nga herët e tjera, nga LVV-ja, Besnik Bislimi i cili e dorëzoi këtë listë, tha se në këto zgjedhje nga partia e tyre do të garojnë 41 gra për deputete.

“Besoj fuqishëm se kemi arritur të përgatisim një listë, e cila e reflekton apo i përgjigjet kaq fuqishëm kësaj përkrahje nga qytetarët tanë. Ajo që është shumë më e rëndësishme është fakti që deri më sot nuk ka pas një listë të kandidatëve që ka më shumë gra. Në listën tonë janë 41 gra, secila më e mirë se tjetra. Në dhjetëshen e parë janë pesë gra e pesë burra”, tha Bislimi.

Marketing