Kovaçevski dhe Xhaferi dorëhiqen, ja nominimet për Qeverinë teknike

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi dorëzuan dorëheqjet e tyre.
Xhaferi me dorëheqjen, njëherazi autorizoi nënkryetarin e Kuvendit, Goran Misovskin, të kryesojë me seancën plenare të së premtes. Dorëheqjet e kryeministrit, Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, do të konstatohen të premten. Në seancë të posaçme po nesër zgjidhet Jovan Mitreski për kryeparlamentar. Mandatari i ardhshëm, Xhaferi, i cili nga e diela kalon në krye të ekzekutivit, zotohet për organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike.

Marketing

Kabineti i Xhaferit do të plotësohet me ministrat dhe zëvendësit teknik nga VMRO – DPMNE. Pançe Toshkovski do të jetë ministër teknik i Punëve të Brendshme, ndërkaq Gjoko Vellkovski, i Politikës Sociale. Ndërkaq, Elena Petrova do të jetë zëvendësministre në dikasterin e Financave, Stefan Andonovski në Shoqërinë Informatike dhe Administratë, Cvetan Tripunovski në Bujqësi. Ministrat e BDI-së dhe ASh-së mbeten të njëjtë, përpos që zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, do të zëvendësohet nga Bojan Mariçiq.