Me investime kapitale në ndërtimin dhe rindërtimin e digave dhe sistemeve të vaditjes dhe me masat e “Planit Kombëtar të Prodhimit Ushqimor” do të sigurojmë shfrytëzimin maksimal të çdo pëllëmbë tokë të punueshme bujqësore për të rritur prodhimin vendas ushqimor në kohë krize.
Këtë e theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili sot në Komunën e Rankovcës mori pjesë në vënien në punë të sistemit të ujitjes “Slavishko Pole”, sistem i organizuar dhe modern për ujitjen e tokave bujqësore, i cili siguron prodhim të qëndrueshëm për fermerët.
Kryeministri Kovaçevski, siç njofton Shërbimi për shtyp i qeverisë, ka falënderuar delegacionin e Bashkimit Evropian, me mbështetjen financiare të të cilit në vlerë prej afro 1.8 milionë euro, është ndërtuar sistemi, si pjesë e projektit IPA për ndërtimin e objekteve të vogla, sistemeve vaditëse me kosto të ulët në disa qarqe të vendit, vlera totale e të cilave shkon rreth 10 milionë euro. “Sistemi ekzistues i ujitjes ishte jofunksional, me një kapacitet minimal vaditës prej vetëm 40 hektarësh. Tani me sistemin e ri do të ujiten 200 hektarë tokë bujqësore arë, të cilën e kultivojnë rreth 500 amvisëri nga fshatrat Psaça, Petralica dhe Ginovci, nënvizoi Kovaçevski.
Ai theksoi se sistemi do të kontribuojë në shfrytëzimin racional të ujit nga Kriva Reka, duke siguruar kështu ujë në dispozicion për ujitje të kulturave bujqësore gjatë gjithë vitit, gjë që do të ndikojë në përmirësimin e prodhimit bujqësor në sasi dhe cilësi. “Rezultati përfundimtar është që të sigurohet sa më shumë ushqim, veçanërisht në kohë krize”, theksoi Kovaçevski, duke shtuar se sistemi “Slavishko Pole” është vetëm një nga investimet e shumta të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se kjo do të ndikojë dukshëm në zvogëlimin e importeve dhe se për shkak të dimrit të ashpër që pritet, bujqësia dhe menaxhimi i krizës energjetike mbeten prioritetet kryesore të Qeverisë.