Kovaçevski: Në vitin 2024 së bashku do të punojmë për të përmbushur agjendën evropiane

Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski uron të gjithë qytetarëve Vitin e Ri 2024, duke i uruar shëndet, lumturi dhe suksese në vitin e ri.

Marketing

“Ne hyjmë në vitin e ri me mundësi të reja dhe plane të reja për arritje edhe më të mëdha. Qytetarët janë në radhë të parë! Dhe në vitin e ri do të vazhdojmë të punojmë fort për paga dhe pensione edhe më të larta, vazhdojmë të mbështesim nxënësit, studentët, pensionistët, më të rrezikuarit, por edhe sektorin e biznesit. Nuk do të lejojmë askënd të mbetet vetëm për të përballuar sfidat.
Nëse viti 2023 ishte vit i mundësive të reja, pres që viti 2024 të jetë vit i realizimit të perspektivave evropiane. Një vit në të cilin të gjithë së bashku do të punojmë për të përmbushur agjendën evropiane, për të përmbushur qëllimin tonë të dytë të shumëpritur pas anëtarësimit në NATO, që është anëtarësimi në BE”, tha Kovaçevski në urimin e tij për Vitin e Ri.

Në urimin e tij, kryeministri Kovaçevski iu referua të arriturave të vitit të kaluar.
“Viti i kaluar do të mbahet mend për shumë sfida që me përgjegjësi dhe përkushtim i kthyem në mundësi të reja. Duhet të jemi krenarë që së bashku arritëm të arrijmë shumë për të gjithë. Ne kemi ruajtur vendet e punës dhe kemi krijuar të reja, kemi mundësuar rritje historike të pagave dhe pensioneve, kemi ndihmuar bujqit. Me një sërë masash kundër krizës arritëm të mbrojmë standardin e jetesës dhe ta mbajmë ekonominë stabile”, theksoi Kovaçevski.