Ka filluar kapitulli i ri i rrugës sonë evropiane, në të cilin duhet të bëhen reforma të mëtejshme për të arritur qëllimin strategjik – anëtarësimin e plotë në BE. Nuk duhet të humbasim shansin që e kemi, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e përbashkët për shtyp me sekretaren shtetërore franceze për Evropë, Laurence Bun.
Kovaçevski me këtë rast u ndal edhe tek ndryshimet kushtetuese, duke shprehur pritshmërinë e tij që deputetët të mbështesin miratimin e tyre.
“Amendamentet kushtetuese mbeten, e di që vendimi i deputetëve nuk është i lehtë, por pres që ata të tregohen burrështetas dhe të jenë në krye të detyrës me të vetmin qëllim, për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne dhe për brezat e ardhshëm. Deputetët janë përfaqësues të qytetarëve dhe qytetarët duan të jenë pjesë e BE-së për shkak të përfitimeve të përgjithshme sociale, progresit ekonomik dhe demokracisë”, deklaroi Kovaçevski.