Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi të shtunën se koalicioni qeveritar mund të zgjerohet për shkak të nevojës për miratimin e disa ligjeve që kanë të bëjnë me agjendën evropiane, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Ai tha se nevoja për një Qeveri më stabile vjen për shkak të “veprimeve destruktive të opozitës”, e cila sipas tij “po pengon rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”
Shumica parlamentare ka kohë që po përballet me mungesë stabiliteti. Nga 120 deputetë sa ka Kuvendi, vetëm 63 mbështesin punën e Qeverisë – gjë që ka bërë që shumë ligje të mos mund të miratohen.
Nevoja për zgjerimin e Qeverisë vjen edhe për faktin se duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese që parashihen me marrëveshjen me Bullgarinë.
Kërkesa e Kovaçevskit i drejtohet fillimisht Aleancës për Shqiptarët, e cila është në opozitë dhe ka 8 deputetë. Nga kjo parti kanë thënë se për momentin nuk planifikojnë të bëhen pjesë e Qeverisë, edhe pse thonë se kanë marrë sinjale për një gjë të tillë.
“Kemi disa vendime për të marrë dhe ato duhet të miratohen me konsensus të gjerë në shtet, siç janë marrë gjitha vendimet tjera më parë… Janë të mirëseardhur që të bëhen pjesë e Qeverisë të gjithë ata që duan të jenë pjesë e një shteti me prosperitet dhe me vizion, ku të rinjtë do ta dinë se për 10 vjet ose 8 vjet nga tani do jemi vend anëtarë i BE-së”, ka deklaruar Kovaçevski.
Ai tha se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka vlerësuar punën e ekzekutivit, por jo edhe të opozitës, e cila sipas tij si asnjëherë më parë është kritikuar për pengesat që po i bën vendit në procesin evropian.
“Ky raport, si asnjë më parë, dërgon mesazhe shumë të qarta. Mesazhi i parë është se në vendin tonë (Maqedoninë e Veriut) ka dy koncepte. Njëri koncept është ai në krye të cilit jam unë. Ky është koncepti që unë mbroj dhe u them që qytetarët maqedonas, se me kokën lart, me dinjitet, do të ecin drejt BE-së dhe të ulen në tryezën e madhe në Bruksel”, tha Kovaçevski.
“Koncepti i dytë në këtë raport është koncepti i bllokadës i udhëhequr nga opozita, koncepti i izolimit. Ky është dallimi mes këtyre dy koncepteve”, tha Kovaçevski, i cili kritikoi partinë opozitare VMRO DPMNE.
Kjo parti hodhi poshtë kritikat dhe tha se “raporti i KE-së tregon se Qeveria me vetëdije të plotë nuk i zbaton reformat”.
“Raporti qartë flet se në vend nuk po zbatohen reforma në fushat kyçe të administratës publike, ndërtimit të konkurrencës në treg, lëvizjes së lirë të mallrave dhe punëtorëve, të drejtave të pronësisë intelektuale, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.
Ndryshe, Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian.