Kovid-19 RMV/ 766 pacientë në trajtim spitalor

Në tërë vendin në trajtim spitalor janë gjithsej 766 Kovid pacientë, prej tyre 340 janë në Kovid qendrat në Shkup dhe 426 në qytetet tjera të vendit. Në 24 orët e kaluara, 34 pacientë të rinj janë shtruar në spital në Qendrat Covid në Shkup, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Marketing

Njëherit njoftohet se 38 pacientë kanë lëshuar spitalin pasi janë shëruar. Në Covid qendrat në tërë vendin ka edhe 450 krevate të lira.

Në Spitalin Infektiv të Shkupit po trajtohet edhe kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zharko Karaxhovski, pasi prej ditësh është prekur nga virusi Korona.

Nga kjo klinikë konfirmojnë se Karaxhovski dhe bashkëshortja e tij ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk janë në mbështetje të oksigjenit.

Po ashtu në 24 orët e fundit në të gjithë territorin e vendit tonë janë regjistruar 349 kundërvajtje për mosmbajtjen e maskës.

Policia në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut ka mbyllur mbrëmjen e së premtes një çajtore në Haraçinë të Shkupit për shkak të punës pas orarit të lejuar.

Siç është informuar nga Ministria e Brendshme, nëpunësit e policisë nga SPB – Gazi Babë, Njësia e Policisë Intervenuese dhe SPB – Haraçinë, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, dje në orën 21:20 kanë kryer kontroll në një çajtore në Haraçinë dhe kanë arritur në përfundimin se objekti po punon dhe ka më shumë mysafirë.

Objekti është mbyllur nga inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, ndërsa pas dokumentimit të çështjes, do të ngrihet padia penale sipas nenit 206 të Kodit Penal, njofton MPB.

Aktualisht çajtoreve, kafeneve dhe restoranteve u lejohet të punojnë deri në orën 18, ndërsa ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ka paralajmëruar se pasi gjendja me virusin po stabilizohet, së shpejti do të shqyrtohet mundësia e zgjatjes së orarit të punës për sektorin e gastronomisë deri në orën 21.

Po ashtu vendi po bën përgatitje për pranimin e sasisë së parë të vaksinave anti Kovid, që është paralajmëruar të arrijë në fund të janarit apo në fillim të shkurtit.

Marketing