Ballina Lajme Maqedoni Kriza energjetike: Bullgaria e gatshme të ndihmojë Maqedoninë e Veriut

Kriza energjetike: Bullgaria e gatshme të ndihmojë Maqedoninë e Veriut

Bullgaria ka konfirmuar gatishmërinë për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut për të përballuar sfidat në sektorin energjetik. Këtë e kanë konfirmuar krerët e shtetit bullgar gjatë takimit në Sofje me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Kryeministri bullgar Galab Donev, deklaroi se diskutuan për mundësitë specifike për transmetimin e energjisë elektrike dhe gazit natyror, si për nevojat e industrisë ashtu edhe për përdoruesit rezidencialë në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Ai bëri të ditur se nga e mërkura, grupi i përzier punues do të fillojë punën për lidhjen e kontratës në fushën e energjisë elektrike.

“Marrëveshjet do të arrihen edhe për depozitimin e gazit natyror në “Çiren” në mënyrë që Maqedonia e Veriut të përfitojë nga pjesëmarrja e saj në terminalin në Aleksandropolis. Në këtë mënyrë furnizimet me gaz të lëngshëm do të mund të jenë më të balancuara pa hasur në vështirësi të tjera”, deklaroi Galab Donev, kryeministër i Bullgarisë.

Në anën tjetër, kryeministri Kovaçevski ka deklaruar se para dy vjetësh Maqedonia e Veriut kishte nevojë për vaksina kundër Kovid 19, ndërsa tash ka nevojë për energji elektrike.

“Së bashku me Bullgarinë do të bashkohemi për të gjetur një zgjidhje për furnizimin me energji elektrike. Jemi dakorduar që deri të mërkurën të formojmë një grup punues me pjesëmarrjen e ministrive të ekonomisë dhe energjetikës së Republikës së Maqedonisë dhe Bullgarisë për të diskutuar për mundësitë teknike për furnizim me energji elektrike”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Kovaçevski është takuar sot edhe me presidentin bullgar Rumen Radev. Ky i fundit deklaroi se Bullgaria edhe një herë do të solidarizohet me “Maqedoninë vëllazërore”, siç është shprehur ai. Kreu i shtetit theksoi se marrëdhëniet marrëdhëniet mes dy vendeve qëndrojnë mbi një themel të fortë që është përtej çdo konjukture politike.

Exit mobile version