Kriza energjetike, kuvendi miraton pakon e ligjeve

Kuvendi miratoi një sërë ligjesh, për të cilat paraprakisht ishte ezauruar debati, në seancën e 79, të 82 dhe seancën e 88, ku ndër të tjera ishin edhe pakoja e ligjeve që kanë të bëjnë me krizën energjetike.
Me shumicë votash u miratua propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për Rezervat e Detyrueshme të Naftës, propozim-ligji i plotësuar për ndryshim dhe plotësim të ligjit për efikasitet energjetik si dhe propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për energjetikë.
“Gjithsej votuan 61 deputetë, për votuan 61 deputetë, kundër nuk ka, të përmbajtur nuk ka. Konstatoj se Kuvendi e miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për energjetikë.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Në arsyetimin e Qeverisë thuhet se kriza globale energjetike ka imponuar nevojën për krijimin e kushteve për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme dhe kjo ka imponuar plotësimin dhe ndryshimin e dispozitave të Ligjit për energjetikë. Me ndryshimet e reja është bërë edhe harmonizimi i Ligjit për energjetikë me rregulloret përkatëse të Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, me plotësimin e Ligjit për Rezervat e Detyrueshme të Naftës mundësohet dhënia e huazimeve afatshkurtra ose transferimi pa kompensim i derivateve të naftës nga rezervat e detyrueshme për ndërmarrjet publike dhe institucionet e themeluara nga shteti.
Më herët Kuvendi miratoi edhe vendimin e Qeverisë për alokim të fondeve mes shfrytëzuesve buxhetor të pushtetit qendror dhe fondeve. Me këtë vendim ndër të tjera parashihet sigurimi i fondeve shtesë për Elektro-Ekonominë e Maqedonisë, për prodhim vendor të energjisë elektrike dhe tejkalimin e pasojave nga kriza energjetike.