Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE)i Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE) solli Sistemin Tarifor të shitjes së energjisë elektrike për konsumatorët sipas të cilit përcaktohet se tarifa e lirë ditore nis nga data 1 dhjetor, sipas KRRE-së amvisëritë do të kenë tarifë të lirë të energjisë elektrike nga ora 13 deri në orën 15 dhe nga ora 22 deri në orën 7 çdo ditë, si dhe të dielave gjatë gjithë ditës (24 orë).
“Me vendosjen e tarifës së lirë ditore, amvisëritë do të kenë në dispozicion gjithsej 11 orë energji elektrike të lirë gjatë një njëzetekatërorëshi nga dita e hënë deri ditën e shtunë, dhe 24 orë gjatë tërë ditës së diel. Pas analizave të bëra, KRRE-ja vlerësoi se janë krijuar kushtet për amvisëritë për të përdorur orë shtesë kur kompensimi për energjinë elektrike të shpenzuar, do të përllogaritet sipas tarifës së lirë. Të dhënat tregojnë se cikli i investimit në burimet e rinovueshme të energjisë e ka rritur prodhimin e energjisë elektrike, me ç’ rast ka ndikuar drejtpërsëdrejti në uljen e çmimit gjatë ditës,” deklaroi Marko Bislimoski, kryetar i KRRE-së.