Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, hodhi poshtë një urdhër arresti të lëshuar nga Rusia për të, duke thënë se ishte thjesht një përpjekje për ta frikësuar atë mes spekulimeve se ajo mund të merrte një post të lartë në Bashkimin Evropian.
Dikur sundohej nga Moska, por tani anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Estonia ka qenë një mbështetëse e Kievit dhe Kallas ka qenë një nga kritikrt më të zëshme të Moskës që nga pushtimi rus i Ukrainës gati dy vjet më parë.
Policia ruse e vendosi atë dhe disa politikanë të tjerë baltikë në një listë të kërkuarish më 13 shkurt për shkatërrimin e monumenteve të epokës sovjetike.
“Kjo ka për qëllim të frikësojë dhe të më bëjë të përmbahem nga vendimet që përndryshe do të merrja,” i tha Kallas Reuters në një intervistë në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
“Por është libri i lojërave të Rusisë. Nuk është asgjë befasuese dhe ne nuk kemi frikë”.
Politikanët baltik rrezikojnë të arrestohen vetëm nëse kalojnë kufirin rus, përndryshe shpallja e tyre në kërkim nuk ka pasoja reale.
Profili i lartë i Kallas në shtytjen e BE-së për të bërë më shumë për të mbështetur Ukrainën ka çuar në spekulime në Bruksel se ajo mund të marrë një rol të lartë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të BE-së në qershor, ndoshta si shefe e politikës së jashtme.
Ajo tha se spekulimet po kontribuojnë gjithashtu në agresionin e Rusisë ndaj saj.
“Është e vështirë të jesh popullor”, tha ajo me ironi. “Këtë e kanë parë edhe rusët dhe për këtë arsye kanë lëshuar urdhrin e arrestit për të theksuar vërtet argumentin më të madh kundër meje, se unë jam një provokim për Rusinë”.
Kur u pyet nëse ishte e interesuar për ndonjë rol të ardhshëm evropian, ajo tha: “Nuk jemi ende atje. Unë jam kryeministre e Estonisë”, shkruan Reuters.