Ballina Lajme Maqedoni Kryetarja e Sllovenisë: Ndryshoni kushtetutën, të njëjtën e bëmë edhe ne

Kryetarja e Sllovenisë: Ndryshoni kushtetutën, të njëjtën e bëmë edhe ne

Sllovenia pret që procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme, ndërsa para kësaj do të duhet të ndryshohet Kushtetuta, ashtu siç ranë dakord Shkupi dhe Brukseli. Këtë qëndrim në Shkup e shprehu presidentja sllovene, Natasha Pirc Musar, gjatë vizitës zyrtare dhe takimit me presidentin Pendarovski. Ajo theksoi se për të vazhduar rrugën evropiane të vendit, është e nevojshme që në Shkup të bëhet një hap tjetër i rëndësishëm, përkatësisht miratimi i ndryshimeve kushtetuese.

Marketing

“Është e rëndësishme të kemi unitet dhe mendim strategjik që duhet bërë pesë apo gjashtë hapa përpara, për të kuptuar se çfarë është e mirë për Maqedoninë dhe popullin maqedonas. Ju uroj sinqerisht që të keni mençuri të mjaftueshme politike për të ndryshuar Kushtetutën e Maqedonisë”, tha Natasha Pirc Musar – Presidente e Sllovenisë.

Pirc Musar kujtoi se edhe sllovenët kishin frikë nga humbja e identitetit dhe gjuhës kur ndryshuan Kushtetutën para se të hynin në Union, por, siç thotë ajo, asgjë nga këto nuk ndodhi. Sllovenia duhej të ndryshonte një nen të Kushtetutës për të lejuar të huajt të blinin pasuri të patundshme në vend.

Ndryshe, Sllovenia pret të ndryshojë mënyrën e vendimmarrjes brenda Bashkimit Evropian. Kjo, thotë Musar, do ta lehtësonte anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Sllovenia është një nga ato shtatë vende që duan që disa çështje të mos zgjidhen me konsensus, por me shumicë. Ajo vlen edhe për procesin e zgjerimit dhe mund të lehtësojë rrugën e çdo vendi që dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian. Bllokada të veçanta brenda BE-së ndonjëherë janë vendime të këqija”, deklaroi Natasha Pirc Musar – Presidente e Sllovenisë.

Përveç Sllovenisë, këtë iniciativë e përkrahin edhe Gjermania, Belgjika, Holanda, Rumania, Luksemburgu dhe Spanja.

Marketing
Exit mobile version