Raportuese për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ilhan Kuçuk thotë se me bllokimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, përveç Shkupit dhe Tiranës, humb BE dhe Bullgaria, si dhe vendet e tjera në rajon.
“Bullgaria është një nga vendet që e vendos integrimin evropian të vendeve në rajon në një vend shumë të lartë në agjendën e saj. Në të njëjtën kohë, është e qartë se me një bllokim politik, nuk do të ketë fitues, dhe të gjithë do të humbasim. BE do të humbasë sepse besueshmëria e saj do të varroset, do të tregohet e paaftë për të zgjidhur çështje të mëdha gjeopolitike dhe do të tregohet e paaftë për të qenë “një lojtar global”. Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria do të humbasin sepse bënë përpjekje të mëdha në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Në fund, por jo më pak e rëndësishmja, fqinjët e tyre do të humbin, sepse procesi i integrimit kërkon ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të cilat kanë të bëjnë me pastrimin e mosmarrëveshjeve historike”, tha Kuçuk.
Ai vlerëson se pozicioni bullgar ndaj Shkupit është i pakuptueshëm për vendet e tjera të BE ndërsa qeveria në Sofje nuk po bën asgjë për ta shpjeguar situatën.
Ilhan Kuçuk së bashku me dhjetra eurodeputetë të tjerë nënshkruan një deklaratë ku i kërkohet Këshillit të BE-së të zhbllokojë integrimin evropian të Maqedonisë dhe Shqipërisë.
“Ky është pozicioni i 24 kolegëve që kanë një rol zyrtar në procesin e integrimit në Ballkanin Perëndimor. Me këtë synojmë t’u japim ndihmë të dy vendeve, por edhe vendeve që janë skeptikë ndaj politikës së zgjerimit të BE-së. Padyshim, kontradiktat aktuale në BE janë të mëdha, dhe ne duhet të respektojmë pritjet e qytetarëve evropianë, por edhe premtimet për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, tha eurodeputeti bullgar dhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ilhan Kuçuk.