“Kufinj” nga Dita Starova Qerimi dhe Shqipe Mehmeti në galerinë KO-RA

“Piktura është krijuar nga zakoni që hija e njeriut të rrumbullakosej me anë të një vije, thotë Plini (Plinius, Naturalis historia, shek. XXV). Pikturimet e para janë piktura të prezencës së njeriut: gjurmë pëllëmbe, gjurmë gishtash të ndërthurur në mënyrë gjarpërore, gjurmë të tehut të gurit që vijëzojnë trupin e ndonjë kafshe. Ndonjëherë, aftësia për të krijuar piktura lidhej dhe me ritualin: një vepër krijimi që mundëson praninë e vazhdueshme apo të përkohshme të asaj çka nuk është e pranishme. Ky ritual herë-herë kryej jashtë kornizave të përditshmërisë, në largësitë më të mëdha kufitare të njerëzimit – në shkretëtirë dhe në shpellat e fshehura në thellësi të tokës. Pikturat e para shfaqen në kufirin mes të njohurës dhe së panjohurës, të dukshmes dhe të padukshmes, mes tokës dhe qiellit.

Marketing

Ne vizatojmë kufij në tokë dhe ndërtojmë mure. Jemi të rrethuar gjithandej me mure. Kjo botë e barrierave dhe kufizimeve përbën kulturën tonë të dallimeve. (koncepti dallim këtu i menduar në kontekstin e tij negativ, si kusht i identitetit).

Muret ndodhen rreth nesh, duke ndarë dhe izoluar hapësirën, duke na rrethuar. Ato kryqëzohen, shkëmbehen dhe zgjaten deri në pafundësi, duke u përhapur në të gjitha anët në një labirint të paimagjinueshëm.

Bota jonë është labirinti ynë. Ky labirint nuk na lejon të ndalemi dhe të pushojmë, por na thërret të ecim, të veprojmë. Përmasa e këtij labirinti që kemi krijuar nuk lejon kthime dhe rrugë të njohura. Ashtu si gjuha, edhe labirinti shkatërron kujtesën dhe urtësinë (Achillle Bonita Oliva). Labirinti nuk ka drejtim të caktuar e as mjet për të arritur aty.

Nuk ka dalje, sepse kudo që ne të shkojmë, vijojmë ta ndërtojmë. Jemi gjithnjë në zemrën e labirintit – si Minotauri që përjetësisht sorrollatet në botën që vetë krijoi (kjo është një botë ku, njeriu, kudo që të shkojë takon vetëm veten e vet, thotë Hana Arent).

Artisti zbulon shenjat e fshehura të rrugës nëpër mure dhe kërkon perin e padukshëm të Arianës. Endja e pareshtur e artistit brenda këtij labirinti ku kujtesa humbet, e çon atë drejt daljes – në hapësirën e pakufishme dhe drejt së panjohurës.

Arti bëhet i mundur për shkak se artisti guxon t’i kapërcejë kufijtë, duke nisur një udhëtim të ri drejt së panjohurës, pas kufirit të asaj që është e njohur dhe e dukshme. Është pikërisht guximi i artistit për të kapërcyer kufijtë që krijon mundësinë për një vepër arti.

Ky projekt është një vepër e tillë guximi, ku artistet figurative Shqipe Mehmeti dhe Dita Starova në veprat e tyre bëjnë një përpjekje për t’i kapëcyer kufijtë e së njohurës dhe të hidhen drejt zonave të panjohura të artit.”

Emil Aleksiev

Ekspozitë e dy artistëve do të vendoset në galerinë “KO-RA” në IP Shtëpia e Kulturës “Koço Racin” – Shkup nga 15 dhjetor deri më 25 dhjetor, ndërsa vizitorët do të mund ta shohin atë çdo ditë përveç të hënës prej orës 9 -16.

Protokollet e mbrojtjes së shëndetit publik janë të detyrueshme.