Kufiri Bellanoc- Stançiç , Arifi: Në janar vihet në funksion (Video)

Qytetarë të shumtë vijnë e kthehen të dëshpëruar nga pika kufitare mes Bellanocës e Stançiçit. Ata ankohen për stërzgjatje të hapjes së kësaj pike kufitare.

Marketing

“Tashmë një kohë të gjatë po flitet për vendosjen e gurthemelit dhe hapjen e kufirit mes Bellanocës dhe Stançiçit, mirëpo tani për tani, gjithçka që është bërë, është vendosja e këtyre dy vizave që po shihni poshtë, që tregon ndarjen kufitare mes këtyre dy shteteve.”

Lidhjet farefisnore mes Banorëve të rrethinës së Gjilanit dhe Kumanovës janë të shumta. Qytetarët ankohen se mungesa e vendkalimit kufitar detyron ata që të udhëtojnë me qindra kilometra.

“Po si s’ka problem, polici andej, polici këndej. Nuk të lënë të lëvizni. Po shkojmë deri tek kufiri të shohim nëse është hapur, kemi miqësi, i kemi të gjithë andej“, Zaim Avdiu, qytetar nga Bellanoca.

“Mendoj se ky kufi është kufi i vonuar. Është dashur qysh para 10 vjetëve të hapet një kufi këtu në zonën e Kumanovës. Neve si zakonisht, shumë herë na është bërë padrejtësi e madhe. Kjo është shumë gjë e vonuar dhe mendoj që politikanët tanë si nga ana e Kosovës, si nga ana e Maqedonisë duhet që këtë proces ta shpejtojnë”, tha Muhamed Sadiku, qytetar nga Kumanova.

Kryetari i komunës së Likovës thotë se së shpejti do të fillojë edhe vendosja e gurthemelit të godinës së kufirit, ndërsa thotë se deri në fund të vitit pritet të përfundohen e gjitha procedurat administrative dhe kufiri të fillojë me punë nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

“Në bazë të informatave nga pushteti qendror, deri në muajin tetor pritet të përfundojnë punimet ndërtimore, kurse nga 1 janari 2019 duhet që kjo pikë kufitare të funksionojë”, tha Erkan Arifi, kryetar i komunës së Likovës.

Një pjesë e rrugës nga fshati Sllupçan deri në pikën kufitare është mbuluar dhe bllokuar nga dheu që është shembur nga kodrat përreth rrugës. Për këtë gjë, kryetari i komunës së Likovës thotë se ka informuar pushtetin qendror dhe ka kërkuar nga ndërmarrja publike për rrugë shtetërore të gjejnë një zgjidhje për të mënjanuar këtë problem.

“Na është thënë se nga java e ardhshme do të merren masa dhe kjo rrugë, që është punuar shumë mirë, do të pastrohet dhe do të mirëmbahet”, u shpreh Erkan Arifi, kryetar i komunës së Likovës.

Ndryshe, procesi për hapjen e këtij kufiri ka filluar në vitin 2015 ndërsa janë intesifikuar gjatë muajve të kaluar. Ka ngelur ndërtimi i një godine të përbashkët kufitare me Kosovën dhe përmbyllja e detajeve administrative.

Marketing