Kumanova në dhembje dhe lotë, brenda një dite shuhen tre personalitete të njohura

Kumanova gjatë 24 orëve është përfshirë në një atmosferë të zymtë zie dhe mallëngjimi, pasi që ndërruan jetë tre personalitete të njohura të saj.

Marketing

Si pasojë e komplikimeve nga Kovid-19, u nda nga jeta doktori i njohur Shukri Fazliji, internist i dalluar dhe personalitet human në Spitalin e Kumanovës.

49 vjeçari la shumë projekte dhe punë profesionale që i kishte planifikuar gjatë karrierës së tij. Ai kishte kryer fakultetin e mjekësisë dhe biokimisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa specializimin në Klinikat e Shkupit. Ishte ndër internistët e rrallë në Kumanovë.

Po ashtu u nda nga jeta edhe Ejup Shemshiji, veprimtar i çështjes shqiptare dhe ish i burgosur politik në vitin 1988 për shkak të kërkesave për hapjen e paraleleve të mesme në gjuhën shqipe. Ejupi 58 vjeçar ishte një figurë e rrallë, që po bënte një jetë normale dhe kurrë nuk ishte një personalitet i imponuar në skenën politike. Ai ishte bashkëveprimtar me Jonuz Musliun dhe shumë emra të tjerë të Lëvizjes kombëtare të asaj kohe, edhe në diasporë. Ejupi ishte një burrë i mençur, i qetë dhe një njeri solidar me gjithë qytetin, pasi që vite me parë ishte punësuar në Postat e Maqedonisë.

Për këtë trevë një humbje tjetër ishte edhe Zekirija Kadriu i njohur si Aga Zekë. Vallet e Karadakut dhe të Anamoravës sot humbën protagonistin kryesorë të saj,veteranin, mjeshtrin dhe solistin e pakrahasueshëm të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani”, Zekirja Kadriu-Aga Zekë.

Gjatë karierës së tij ai për shumë vite ushtroi veprimtarinë e tij si vallëtar ne ansamblin “Bajram Shabani” duke ruajtur dhe kultivuar me shumë dashuri vallet e burrave.

Ai në çdo prezantim në skenën artistike ishte gjithmonë i pari dhe me çmime të para.
“Do të mbahet mend si njeri i urt ,i dashur dhe artist i madh. Vallet e burrave më nuk do ta kenë bukurinë e saj si më pare”, shkruajnë anëtarët e ansablit kumanovarë. Kumanova do t’i mbajë mend përgjithmonë këta emra, që janë kontribues të çmuar dhe promotor të vlerave tona në çdo sferë./INA

Marketing