Kurban Bajrami/ Uron Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili

“Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira. Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban! Sigurisht, ai që të urren ty, ai vet është fatprerë.” Kur’an: el-Kevther.
Falenderimet i takojnë All-llahut Fuqiplotë, Krijuesit Absolut.
Salavate dhe përshëndetje përcjellim për të dashurin tonë Muhamedin a.s. paqja dhe mëshira All-llahut qofshin mbi të, familjen dhe pasuesit e tij.
Besimtarë të nderuar!
Nesër, ditë e martë, (10 Dhul hixhe 1442 Hixhrij) është dita e parë e festës së Kurban Bajramit, festë në të cilën besimtari falenderon All-llahun me namaz dhe flijimin (therjen) e Kurbanit vetëm për hir të Allahut xh.sh.
Me këtë rast, më lejoni që në emër të Myftinisë së Shkupit dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me këtë mesazh urimi duke lutur All-llahun fuqiplotë për mirëqenie, lumturi, mbarësi e begati në familjet tuaja.
All-llahu i Madhëruar në Kur’an thotë : “Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun…”.
Festa e Kurban Bajramit paraqet konceptin e fesë islame mbi drejtësinë, unitetin, solidaritetin, bëmirësinë e sakrificën.
Andaj, kjo festë reflekton adhurimin e Krijuesit Fuqiplotë, por, në vete ka edhe simbolikën e flijimit e që për qëllim ka vlerat e humanitetit, solidaritetit, bëmirësisë e mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë, sepse edhe flijimi i kurbanit që e bëjmë me këtë rast, nuk ka për qëllim vetëm derdhjen e gjakut por mbi të gjitha arritjen e devotshmërisë.
Në këtë ditë gëzimi ftoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të jenë më human e solidarë, të tegojmë gjithë bashkë dhembshuri e të ndihmojmë njëri – tjetrin, fqinjët, skamnorët, jetimët, të ngratët, të vetmuarit dhe të gjithë ata që shpresojnë në ndihmën tonë.
Në prag të festës së Kurban Bajramit më lejoni që edhe një herë t’ju urojë të gjithëve shëndet, lumturi, begati, mbarësi, harmoni familjare.
Urime dhe për shumë vjet festa e Kurban Bajramit!
Bekimi i Allahut dhe mëshira e Tij qoftë me ju!

Marketing
Marketing