Kurti: 28 Nëntori, data më e madhe e shqiptarëve

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë i ka bërë bashkë liderët shtetëror e politik, deputetë e ambasadorë të akredituar në Kosovë për nder të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Marketing

Kryeministri, Albin Kurti 28 Nëntorin e ka quajtur datën më të madhe të shqiptarëve.

“Sot, kjo është data më e madhe e shqiptarëve si datë e themelimit të shtetit të kombit, andaj na shërben si datë e perceptimit të thellë. Ne duhet ta shohim dhe dëgjojmë atdheun e Ismail bej Vlorës dhe Isa Boletinit, siç ata e shihnin dhe e ndjenin atë ditë”, ka thënë ndër të tjera shefi i qeverisë në pritjen e organizuar nga ambasada shqiptare në Kosovë.Ai ka thënë se shqiptarët nuk janë popull historik i llojit pushtues, por popull historik i llojit çlirimtar. “Ajo që na lipset është një sfond botëror drejtësie. Duhet të punojmë posaçërisht për këtë”, ka thënë Kurti.

Ai tha se me marrëveshjet ndërshtetërore po vënë në zbatim parimet e shoqërive sociale dhe liberale demokratike.

“Me marrëveshjet tona ndërshtetërore ne po punojmë për integrimin evropian. Por, drejtësia demokratike globale, ndjenja e lirisë gjithëpërfshirëse, pa efektin e duhur në të gjithë rruzullin, vuan po ato cilësi të atmosferës. Presionet më të larta diku sjellin stuhi. Andaj edhe dallimet e mëdha mes politikave shtetërore në vlera shoqërore e të drejta njerëzore nuk bën të tolerohen”, tha ai.

Tutje kryeministri tha se nëse Kosova mbërrin synimin e saj të anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, shqiptarët do të jenë edhe më të integruar në vlerat e demokracisë perëndimore.“Sepse ne besojmë në këto vlera, por për këtë arsye duhet të jemi më të zëshëm, më të njëzëshëm. Çdo 28 Nëntor duhet të masim bashkërisht cilësinë dhe forcën e këtij zëri”.

“Një shekull më parë ishim të qartë mbi atë çka na duhej derisa sot jemi jo vetëm të qartë, por, kemi edhe forcën shtetërore të bëjmë gjithçka për të mos toleruar rikthimin e praktikave të pushtimeve dhe pretendimeve territoriale”, tha Kurti, derisa shtoi se në një shekull të drejtësisë botërore, popull historik nuk duhet të jetë më ai që pushton, por ai shtet që mbron aktivisht të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe barazinë mes njerëzve.