Kurti ka gabuar shumë, por nuk ka vjedh aspak!

Nga Kim Mehmeti

Marketing

Nuk mjaftojnë as njëmijë net që të shpalosësh njëmijë arsyet pse duhet ta kritikosh Kryeministrin aktual të Kosovës si dhe, t’i vësh në dukje gjitha dallimet mes opozitarit të deridjeshëm në të dhe të krye qeveritarit të sotëm në të.

Por gjithashtu, nuk të mjaftojnë as njëmijë vite jetë që të mund të zhytesh deri te ato thellësi të ligësisë njerëzore sa ta kuptosh si është e mundur që opozita e sotme e Kosovës të debatojë për atë si ta rrëzojë kryeministrin e vendit, e jo si ta çlirojë Veriun e saj.

Dhe do duhet shumë kohë që të qartësohet veprimi perversë i disa ‘banditëve’ opozitarë të cilët në vend që ambasadave perëndimore t’u ofrojnë të dhëna për bandat serbe që kanë okupuar veriun e Kosovës, ata atyre u ofrojnë argumente shtesë për ‘destruktivitetin’ e Kryeministrit të tyre.

Ku ta dish, ndoshta do mbetet enigmë që kurrë nuk do sqarohet nga e tërë kjo ligësi njerëzore e disa kundërshtarëve të Kryeministrit aktual të Kosovës, të cilët shtiren se nuk e dinë se beteja e tyre kundër kryeqeveritarit të vendit e ndihmon atë që duan të arrijnë bandat serbe: rënien e Kosovës.

Siç do mund të mbetet sekret nga e gjithë ajo pafytyrësi e atyre që deri dje e drejtonin Kosovën, e të cilët Veriun e saj ua dorëzuan bandave serbe, pafytyrësi e atyre që sot kërkojnë përgjegjësi nga ai që nuk ia doli ta pastrojë gjithë plehun politik që lanë ndërtuasit e shtetit me pantallona nëpër këmbë, por as nuk e shtoi plehun që është duke e qelbur Kosovën.