Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti në një intervistë në RTV Ora foli edhe për mosmarrëveshjet me LDK-në për formimin e qeverisë. Sipas tij, skenari më i keq i mundshëm janë sërish zgjedhjet e reja.
Artur Zheji: Si e shpjegoni që Isa Mustafa ka deklaruar që për ne vazhdon të jetë kandidate për kryeministri Vjosa Osmani?
Albin Kurti: Mua nuk ma tha në takimin e fundit dhe unë besoj që takimet e brendshme që janë zyrtare janë më të rëndësishme.
Artur Zheji: Ka qenë hipokrit me ju apo me publikun?
Albin Kurti: Pyeteni atë
Artur Zheji: E keni aleat, do bëni qeverinë me atë…
Albin Kurti: Nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë të tij.
Artur Zheji: Atëherë nuk punon mirë stafi juaj mediatik, sepse e ka thënë unë nuk e sajova, mund ta verifikoni.
Albin Kurti: Nuk e vë në dyshim, tregova një fakt për veten që nuk e kam dëgjuar vetë, ama ju besoj juve.
Artur Zheji: Çdo njeri kur kryen zgjedhjet nuk mund të jetë më vendi i dytë kandidat për kryeministër, se unë aty fillova të hulumtoj për teoritë potenciale konspirative.
Albin Kurti: Nuk e di, unë po ju tregoj si është situata në Kosovë.
Artur Zheji: I bie që ne në Shqipëri jemi më të poshtër se ju në Kosovë në hamendësimet tona, më të liq, se ne i mendojmë të gjitha opsionet.
Albin Kurti: Nuk besoj që është ashtu. Njerëzit që e duan fitoren e VV frikësohen mos po ja vjedh dikush. Pra e kanë nga frika e dashamirit. Pra një numër i madh i njerëzve, të cilët ne na ankohen….
Artur Zheji: I kap ankthi…
Albin Kurti: Shqiptarët kanë përvojë të hidhur dhe tani nuk i besohet.
Artur Zheji: Ju jeni i bindur që nuk është ky rasti. Ky rast nuk do jetë një zhgënjim mendoni ju?
Albin Kurti: Gjithçka tregon dhe dëshmon që gjërat po vonohen, por janë në drejtimin e duhur . Pra nuk ka ndryshim drejtimi, ka vonesë. Pra nuk ka as strategji as parime të tjera, veç çështje taktike.
Artur Zheji: Treni po vonohet në stacion, por nuk ka dalë nga binarët. Po marrim hipotezën që konspiracioni e nxjerr trenin nga binarët, pra tradhtohet vullneti popullor i Kosovës?
Albin Kurti: Atëherë, zgjedhje të reja do të kemi sërish. Skenari më i keq i mundshëm, në këtë situatë janë zgjedhjet e reja, që i bie që në binarë të njëjtë, treni do niset nga fillimi.