Avni Rustemi është zgjedhur sot kryetar i Forumit rinor të BDI-së, ngjarje që u mbajt në Tetovë, ku të pranishëm kanë qenë lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe Erjon Veliaj kryetar i Tiranës si dhe strukturat e partisë.
Përmes një qëndrimi të tij në Fejsbuk, Rustemi ka shprehur falënderime të përzemërta për të gjithë ata të cilët i dhanë besimin, sië tha, ”të jem drejtues i Forumit Rinor të BDI-së për një periudhë të caktuar kohore”.
“Për besimin që ju sot ma dhatë, të jeni të bindur se nuk do të ndjeheni të zhgënjyer në asnjë moment. Zotohem para jush se të gjithë kapacitetin dhe aftësitë që i posedoj, së bashku me të gjithë strukturën e Forumit rinor të BDI-së, do të përpiqemi që maksimalisht të punojmë për një të ardhme më të mirë për të gjithë rininë e vendit tonë.
I nderuar kryetar Ali Ahmeti, sakrifica juaj kur ishit në moshën tonë do të jetë udhërrëfyes dhe shembull të cilin do ta ndjekim me shpresë që të ju afrohemi rezultateve tuaja edhe pse e dijmë që ata nuk mund t’i arrijmë plotësisht.
Rruga që ju i nderuar kryetar keni trasuar do të jetë shtegu në të cilin do të vazhdojmë të ngritemi ne që vijmë pas jush, me të vetmin qëllim, të përmbushim idealet tuaja”, ka thënë Rustemi.
Ai është i lindur në Tetovë më 1993, ndërsa me prejardhje është nga Orasha e Poshtme e Tetovës. Rustemi ka kryer informatikën në Universitetin e Tetovës me nota 9.9 si dhe masterin me nota 10.00, ndërsa vijon doktoraturën në “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Është i angazhuar asistent në Departamentin e informatikës në UT.