Ballina Lajme Botë Kush është Hamasi dhe përse e lufton Izraelin?

Kush është Hamasi dhe përse e lufton Izraelin?

Grupi militant palestinez i Hamasit ndërmori një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit, me luftëtarët e vet që hynë në komunitetet pranë Rripit të Gazës, duke vrarë qindra qytetarë të thjeshtë e duke marrë pengje. Makthi më i keq, nga i cili Tel Avivi ruhej prej vitesh u jetësua, në orët e para të 7 tetorit, në atë që autoritetet e kanë cilësuar një “Pearl Harbor” apo 11 shtatorin izraelit. Po kush është Hamas?

Marketing

Hamasi është një grup islamik palestinez që sundon Rripin e Gazës. Është betuar për shkatërrimin e Izraelit, dhe ka luftuar një sërë luftërash me këtë shtet që kur erdhi në pushtet në Gaza në 2007. Ndërmjet këtyre konflikteve ka ndërmarrë mijëra sulme me raketa apo akte të tjera vdekjeprurëse ndaj Izraelit. Ky i fundit ka goditur vazhdimisht pozicione të grupit me sulme ajrore dhe bashkë me Egjiptin ka vendosur bllokadë ndaj Rripit të Gazës që prej 2007-s. I konsideruar grup terrorist nga SHBA, BE dhe Britania e Madhe, Hamas mbështetet dhe financohet nga Irani.

Rripi i Gazës është një territor, vetëm 41 km i gjatë dhe 10 kilometra i gjerë mes Izraelit, Egjiptit dhe Detit Mesdhe. Me 2,3 milionë banorë ka një prej popullsive më të dendura në botë. Izraeli kontrollon hapësirën ajrore mbi Gaza dhe bregdetin e saj dhe bashkë me Egjiptin kontrollon gjithçka hyn dhe del nga territori. Popullsia atje jeton në varfëri ekstreme dhe 80 përqind e saj varet nga ndihmat ndërkombëtare. Gaza, së bashku me Bregun Perëndimor, të njohura si Territoret Palestineze, e po ashtu Jerusalemin Lindor dhe Izraelin formonin dikur një tokë të njohur si Palestina, në kohët romake. Por ajo konsiderohet gjithashtu si atdheu i lashtë i popullit hebre, i cili në 1948 shpalli atje shtetin e tij.

Po përse Hamas e sulmon Izraelin? Grupi militant, i cili është gjithashtu në rivalitet me autoritetin palestinez, e akuzon Izraelin për pushtim të territorit të palestinez, masakrat dhe vuajtjet e popullsisë atje. Hamasi është i zemëruar për ato që i quan akte provokuese të Izraelit, në kompleksin e Al-Aksës në Jerusalem, një nga vendet më të shenjta të Islamit, dhe po ashtu për Hebraikët. Sipas një marrëveshje të dekadave më parë, izraelitët nuk kanë të drejtë të luten në Al Aksa. Besohet se sulmi i fundit, që ishte totalisht i papritur, mund të ketë lidhje edhe me përpjekjet e SHBA për të normalizuar marrëdhëniet mes Izraelit dhe Arabisë Saudite.

Zanafilla e konflikti Izrael-Palestinë shkon deri 100 vite më parë, por nëse do të ndaleshim te historiku i përplasjeve më të rëndësishme mes Izraelit dhe Hamasit këto janë disa nga momentet kyçe:

– në 27 dhjetor të vitit 2008, Izraeli nis një ofensivë 22 ditore në Gaza, pasi palestinezë lëshuan raketa në qytetin izraelit të Sderot. 1400 palestinezë dhe 13 izraelitë mbetën të vrarë.

– Në 14 nëntor të 2012-s, Izraeli vret shefin e shtabit të Hamasit Ahmad Jabari. Ngjarja u pasua nga 8 ditë shkëmbime zjarri dhe raketash mes Hamasit dhe Izraelit.

– Në Korrik dhe Gusht të 2014-s, vrasja e tre adoleshentëve izraelitë nga Hamasi çoi në një luftë 7-javore ku 2100 palestinezë humbën jetën në Gaza dhe 73 vetë u vranë në Izrael.

– Maji i vitit 2021 ishte momenti tjetër kur konflikti shpërtheu rrezikshëm. Pas disa javën tensione gjatë muajit të Ramazanit, qindra palestinezë u plagosën në përleshjet me forcat e sigurisë në kompleksin e Al Aksës. Hamasi lëshoi një breshëri raketash ndaj Izraelit dhe ky i fundit u kundërpërgjigj me sulme ajrore.

Sulmet vijuan për 11 ditë duke vrarë të paktën 250 vetë në Gaza dhe 13 në Izrael.

Exit mobile version