Kush janë ministrat e rinj të qeverisë?

Me ndryshimet e reja në përbërjen qeveritare, kryeministri Zoran Zaev përveç udhëheqjes me ekzekutivin, do të udhëheq edhe me Ministrinë e financave, ndërsa ministri aktual i financave, Dragan Tevdovski, do të jetë këshilltar i tij.

Marketing

Ministri aktual i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Sadulla Duraku do të udhëheqë me Ministrinë për Sistem Politik. Përpos këtyre emrave tashmë të njohur për publikun, qeveria do të ketë edhe katër ministra të rinj, respektivisht Naser Nuredini, Hisni Ismaili, Trajan Dimovski dhe Goran Milevski. Alsat ju sjell biografitë e shkurtra të ministrave të rinj.

Naser Nuredini
Ministri i ri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, i cili në shtator do të mbush 40 vjet, në Shkup vjen nga Viena, me përvojë nga sektori bankaro-financiar. Ai ka dy shtetësi, të Maqedonisë Veriore dhe të Austrisë. Të afërmit e Nuredinit thonë se pas pranimit të ftesës së BDI-së për t’u bërë ministër në qeverinë e Zoran Zaevit, ai po punon intensivisht në përsosur njohurit në gjuhës shqipe dhe maqedonase, pasi ai është arsimuar në gjuhën angleze dhe gjermane.

Ai studioi në shkollën fillore “Sabedin Bajrami” në fshatin e tij të lindjes Kamjan (komuna Bogovinjës) deri në klasën e katërt (1986-1989). Ai vazhdoi shkollimin e tij në Vjenë dhe u diplomua në “International Business” në Universitetin e Brighton, në Angli në vitin 2002. Ministri i ri, Naser Nuredini është djali i Aki Nuredinit, pronar i restorantit të famshëm “Sole” në Vjenë, i cili konsiderohet si ambasadë joformale e Maqedonisë.
Me lokacion në afërsi të operës shtetërore të Vienës, restoranti është vend i preferuar i shumë yjeve botërore të operës.

Hisni Ismaili
Hisni Ismaili, i cili është propozim i partisë Alternativa pritet të udhëheqë Ministrinë e Kulturës. Ai është docent në Fakultetin e Mjekësisë pranë Univerzitetit të Tetovës, ku ështl angazhuar nga viti 2009. Më parë ai ka punuar si profesor në shkollën e mesme “Nikolla Shtein” në Tetovë, si mjek amë në ordinancën “Bami Kor Medika” dhe si internist në “Galaksi”-Tetovë.

Ismaili në vitin 2014 ka doktoruar në Universitetin e Tuzllës në Bosnjë dhe Hercegovinë, me temën: “Korrelacionet ndërmjet reagensëve në fazën akute dhe fraksione të caktuara të lipideve tek pacientët me artrit reumatoid”. Në biografinë e paraqitur në Kuvend, nën kolonën “aktivitete kulturore” ai ka shkruar se ka qenë redaktor i librave, organizator në fillimet e para të shtëpive botuese private shqiptare, redaktor i 90 radio emisioneve me përmbajtje kulturore dhe 80 dokumentarëve televizive dhe se ai është një nga themeluesit e shtëpisë botuese “Logos A” nga Shkupi.

Trajan Dimkovski
Ministri i ri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe menaxhimit të ujërave, Trajan Dimkovski, ishte shef i kabinetit të ministrit aktual të Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, ndërsa tre muaj më parë ai u emërua shef i Sektorit për zhvillim rural në ministri. Ai ka qenë në kabinetin e Nikollovskit qysh në kohën e të ashtuquajturës qeveri të Përzhinos, kur LSDM kishte marrë një zëvendës ministër shtesë në këtë resor.
Dimkovski vjen nga Kumanova, është 51-vjeçar dhe është inxhinier i diplomuar i bujqësisë (drejtimi i vreshtëve dhe pemëve). Në emër të Komitetit Bujqësor të partisë së tij, LSDSM-së, ai ka qenë kritik i ashpër i politikave bujqësore të qeverisë së mëparshme. Dimovski ka qenë drejtor ekzekutiv i Federatës Kombëtare të Fermerëve, ndërsa ka punuar edhe në projekte nga Federata Suedeze e Fermerëve për mbështetjen e fermerëve maqedonas.

Goran Milevski
Kryetari i Partisë Liberalo-Demokrate, Goran Milevski, pritet të udhëheqë me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale,ai është deputeti aktual i Kuvendit. Milevski ishte anëtar i Kuvendit edhe në periudhën 2014-2016. Më herët në dy mandate (2005-2009 dhe 2009-2013) ai ishte anëtar i Këshillit të Komunës së Manastirit. Nga viti 2015 është udhëheqës i PLD-së.

Goran Milevski është ekonomist i diplomuar pranë Fakultetit Ekonomik në Prilep, ku më 2017 kreu magjistraturën në Administratë dhe Biznes, ndërsa tani ka të regjistruar studimet e doktoraturës në fushën e marketingut. Prej vitit 2004 deri në vitin 2014 ai ishte profesor në shkollën e mesme ekonomike “Jane Sandanski” në Manastir. Ai në Kuvend njihet për qëndrimet e tij kundër ligjit të amnistisë dhe vaksinimit të detyrueshëm.