Ballina Aktuale Kuvend, themelohet Komisioni Anketues për Onkologjinë

Kuvend, themelohet Komisioni Anketues për Onkologjinë

Me 82 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi miratoi propozim-vendimin për formimin e Komisionit Anketues për skandalin në Klinikën Universitare për Radioterapi dhe Onkologji. Votimit të këtij vendimi i parapriu debat i ashpër mes pozitës dhe opozitës, në tentim për të kërkuar përgjegjësit e këtij rasti. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Petar Ristevski, tha se përmes Komisionit Anketues do të kërkojnë vërtetimin e përgjegjësisë për funksionarët politikë dhe të shëndetësisë. Theksoi se me moszbardhjen e skandaleve të tjera, siç ishte djegia e Spitalit Modular në Tetovë, qytetarët kanë humbur besimi në drejtësi, andaj duhet të ndërpritet praktika e mosdënimit për raste të tilla.

Marketing

“Prioritet është të vërtetohet dhe definohet përgjegjësia politike dhe shkelja e dispozitave kushtetuese dhe ligjore nga ana e Kuvendit. Komsioni Anketues duhet të vërtetojë nëse me këtë skandal në Klinikën Universitare për Radioterapi dhe Onkologji janë rrezikuar të drejtat themelore të pacientëve, që nga heqja e përdorimit të sistemit për kontroll të terapisë. Asnjëherë nuk do të jemi një shoqëri moderne dhe evropiane me stërzgjatjen e procedurave gjyqësore, mungesë të përgjegjësisë, mbështetje dhe mbrojtje të kuadrove partiake në veprime të tilla kriminale dhe monstruoze.”, – deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Petar Ristevski.

Ndërkohë, nga LSDM-ja theksojnë se ky mosfunksionim dhe keqmenaxhim i shtetit, rrënjët i ka në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së.

“Kërkojmë përgjegjësi, si ju dhe të gjithë qytetarët e RMV-së. Por, kur filluat të flisni gjithçka, dua t’ju kujtoj dhe të vërtetoj se kanceri më i madh apo fatkeqësia më e madhe në shoqëri për shkatërrimin e shëndetësisë publike dhe të gjitha institucioneve duke përfshirë edhe arsimin dhe gjyqësorin është nga koha e atij që u largua dhe i mori të gjitha paratë e vjedhura dhe ëndrrat nga qytetarët për jetë më të mirë.”, – theksoi deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarevska.

Nga Lëvizja “Besa”, ndonëse mbështetën iniciativën për formimin e Komisionit Anketues dhe zbardhjen sa më të shpejtë të rastit, vërejtjet e tyre i adresuan në mospërfshirjen e shtatë deputetëve shqiptarë në opozitë në përbërjen e këtij Komisioni.

“Kemi vërejtje rreth strukturës dhe përbërjes së këtij Komisioni Anketues se nuk janë të përfshirë partitë opozitare shqiptare, bëhet fjalë për shtatë deputetë, të cilët realisht nuk përfaqësohen. Përgjegjësi duhet të ketë prej aty ku ka ndodhur, në klinikë, institucionet shëndetësore, por edhe të gjithë ato përgjegjës ose bartës të funksioneve publike, të cilët kanë pasur informacione që të veprojnë, por nuk kanë vepruar.”, – u shpreh deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli.

Shumica prej gjashtë deputetësh dhe kryetari do të jenë nga VMRO-DPMNE-ja, katër nga LSDM-ja, dy nga BDI-ja dhe një nga Aleanca për shqiptarët. Komisioni hetimor do të ketë të drejtë të propozojë dëshmitarë, ekspertë, të cilët do të japin deklarata para deputetëve lidhur me rastin dhe brenda një muaji duhet të paraqesin raport në Kuvend që do të përcaktojë përgjegjësinë politike.

Marketing
Exit mobile version