Ballina Aktuale Kuvend/ Vazhdon debati për riformatimin e Qeverisë

Kuvend/ Vazhdon debati për riformatimin e Qeverisë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka vazhduar sot debatin për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti nga radhët e Alternatvië. Deputetja e VMRO – DPMNE -së, Ivanka Vasilevska, sic njofton KlanM, gjatë fjalimit të saj tha se, rikonstruimi i Qeverisë nuk paraqet shpresë për shtetin dhe se, gjëja e vetme që duhet të bëhet është të shpërbëhet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Vasilevska beson se, ministri Aliti po shkarkohet vetëm se nuk është i korruptuar dhe e ka bërë punën si duhet.

Marketing

“Unë do t’ju kuptoja nëse do të shkarkonit ministër, drejtor, të shkarkonit edhe zëvendëskryeministër nëse me të vërtetë nuk i është përgjigj detyrës së dhënë. Por, me të vërtetë nuk mund ta kuptoj pse vendosët ta ndërronit këtë ministër konkret. Ndoshta sepse ky ministër nuk ka qenë i korruptuar, ka qenë profesionist dhe ka punuar për një vit sa ka mundur të punojë sa i ka lejuar koha, nuk është i pranueshëm dhe e nxirrni në këtë mënyrë nga kabineti qeveritar” – tha Ivanka Vasilevska, deputete e VMRO-DPMNE.

Sipas deputetes së Alternativës, Safije Sadiki Shaini, ministri Aliti ka punuar shumë më shumë nga ministrat paraprak në fushën e digjitalizimit dhe mediave.

“Shkarkimi brutal nëse bëhet për punën e ndershme që e ka bërë, atëherë për ne ajo është nderë. Qasja e këtillë nuk është normale dhe as evropiane. Nëse shkojmë drejt Evropës, ta kemi të qartë se me këtë mendësi nuk do të jemi të mirëseardhur” – tha Safije Sadiki, deputete e Alternativës.

Nga ana tjetër, deputetja e LSDM-së, Daniela Koleva, sic percjell KlanM, akuzoi opozitën se me qëllim po bllokon punën e Kuvendit dhe po zvarrit zgjedhjen e Qeverisë së re.

“Kjo që e bëni ju është jonjerëzore, ju vetëm për shkarkimin e ministrave dhe zëvendësministrave, një javë vetëm për një shkarkim, e merr fjalën të gjithë. Pse?! Vetëm ta bllokoni dhe destabilizoni shtetin. Institucionet dhe ministritë nuk munden të funksionojnë një muaj të tërë prej juve. Ta dinë qytetarët kush e bllokon këtë shtet dy vite e gjysmë. Ta dinë pse ministritë nuk mund t’i nënshkruajnë urdhërpagesat, sepse nuk mund të zgjedhim ministra për shkak të juve” – tha Daniela Koleva, LSDM.

Kujtojmë, javën e kaluar përfundoi debati për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali, por votimi do të caktohet në mënyrë shtesë. Në rend dite të kësaj seance, është edhe shkarkimi i ministrit pa resorë për diasporë, Xhemail Çupi, si dhe emërimi i ministrave të rinj – Fatmir Mexhitit për ministër të Shëndetësisë, Azir Aliut për ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Krenar Llogës për ministër të Drejtësisë dhe Kaja Shukovës për minsitre të Mjedisit Jetësor.

Marketing
Exit mobile version