Kuvendi miraton rezolutën kundër referendumit të Serbisë në Kosovë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën (15 janar) kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.
77 deputë ishin të pranishëm në sallë gjatë votimit të kësaj rezolute në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Albin Kurti. Për këtë rezolutë, nga deputetët nuk pati vota kundër, veçse një abstenim.

Marketing

Rezoluta u propozua nga katër grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupit Multientik. Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës duke e quajtur shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.

Kundërshtime lidhur me këtë qëndrim pati nga shtetet e QUINT-it. Në hapje të seancës së Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se nuk është kundër të drejtës së votës së qytetarëve serbë kosovarë me dy shtetësi duke thënë se votimi mund të bëhet në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.
Ai në anën tjetër ka kundërshtuar idenë që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.
“Një praktikë e gabuar e vendosur nëpër vite nuk e arsyeton vazhdimin e gabimit të njëjtë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të trajtohet si e tillë”, tha Kurti.
Në këtë seancë, Lumir Abdixhiku, kryetari i partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës ka ritheksuar qëndrimin e partisë së tij, kundër referendumit të Serbisë në Kosovë.
“Për LDK-në, mbajtja e referendumit të një shteti tjetër është çështje e mbyllur para se të nisë. LDK pret, mirëpret dhe mbështet respektimin e plotë të Kushtetutës dhe rendit tonë kushtëtues”, tha ai.
Megjithatë, Abdixhiku e kritikoi kryeministrin Kurti lidhur me thirrjen e seancës duke e quajtur të panevojshme dhe tentativë për tu fshehur pas deputetëve.
“E paqartë mbetet mbajtja e kësaj seance dhe nxjerrja e një rezolute për rekomandim ndaj qeverisë. Kushtetutën e ke, ushtro rolin kushtetues prej kryeministrit”, tha ai.
Kundërshtimin ndaj referendumit të Serbisë në Kosovë e shprehu edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në anën tjetër, Kryetari i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq, bëri thirrje që të ndërpritet “fushata anti-serbe” dhe të lejohet mbajtja e referendumit serb.

Lista Serbe është partia kryesore serbe e Kosovës dhe ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

“Edhe një herë nga ky vend, në emrin tem personal dhe në emër të Listës Serbe, popullit serb, ju ftojmë të ndryshoni vendimin tuaj dhe të mundësoni referendumin në përputhje me parimet aktuale. Kjo është një thirrje për arsye, një thirrje për përgjegjësi, që të fillojmë të respektojmë popullin tonë dhe të drejtat e tyre themelore njerëzore”, tha Simiq.

Pas fjalës së Simiqit, deputetët e Listës Serbe u larguan nga salla e Kuvendit me arsyetimin se “nuk duan t’i japin legjitimitet seancës”./R.E.L

Marketing