“Lagjja e trimave”, DPZS: Sallahu nuk mund t’i vizitojë të burgosurit

Zëvendësministri i drejtësisë i Kosovës, Blerim Sallahu, mund të vizitojë burgun e Idrizovës, por jo dhe të takohet me të burgosurit shtetas të Kosovës në rastin “Lagjja e trimave”, sepse ai është përfaqësues politim dhe jo përfaqësues konsullor.

Marketing

Kështu i janë përgjigjur kërkesës së Blerim Sallahut nga Drejtoria e Zbatimin e Sanksioneve.

Nga kjo drejtori shpjegojnë se në bazë të Ligjit për Zbatimin e Sanksioneve, shtetasit e huaj të dënuar në vend sipas të drejtës ndërkombëtare dhe nën kushtet e reciprocitetit mund të vizitohen nga përfaqësues konsullar.

“Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve vlerëson se zëvendësministri i drejtësisë nuk është përfaqësues konsullar i shtetit të tij në RMV, por është përfaqësues politik i Republikës së Kosovës, funksionar i emëruar i cili njëkohësisht nuk është i autorizuar të jetë edhe përfaqësues konsular i Kosovës, që duhet t’i plotësojë kushtet e posaçme të parapara me të drejtën ndërkombëtare. Nga kjo arsye dhe duke respektuar Ligjin, Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve ju informon se nuk jemi në mundësi ta lejojmë vizitën e kërkuar për personat e dënuar të përmendur më lart në tekst. Në rastin konkret, Drejotoria për zbatimin e sanksioneve, zëvendësministrit të të Kosovës mund t’i lejojë vizitë në SHPN “Burgun e Idrizovës”, por jo dhe vizitën e personave të dënuar.”

Ndërkohë, Gjykata Supreme ka sjellë vendim për rastin “Lagjja e Trimave”. Gjykata ende nuk ka publikuar se cili është vendimi, por njoftojnë se i njëjti është në fazë të përpunimit me shkrim.

Nëse shfuqizohet vendimi i shkallës së dytë, atëherë rasti kthehet nga fillimi. Aktgjykimi i shkallës së dytë, për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015, shpalli fajtor 33 persona për veprën “terrorizëm”.

Gjykata e Apelit e konfirmoi vendimin e Gjykatës Penale, me çka shtatë persona u dënuan me burg të përjetshëm, 13 nga 40 vite, gjashtë nga 20 vite, një person me 18 vjet burg, kurse dy persona me 13 dhe 14 vjet.

Në ngjarjet e Kumanovës jetën e humbën tetë policë dhe 10 anëtarë të “Grupit të armatosur”.