Ballina Lajme Maqedoni Letërnjoftimet e vlefshme do të vlejnë në sportele dhe në qendrat e...

Letërnjoftimet e vlefshme do të vlejnë në sportele dhe në qendrat e votimit

Qytetarët të cilët pas datës 12 shkurt do të kenë letërnjoftime të vlefshme me emrin e vjetër Republika e Maqedonisë, nuk do të kenë asnjë pengesë në sportelet e bankave dhe nuk do të kenë asnjë problem gjatë votimit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të 24 prillit dhe në zgjedhjet parlamentare të tetë majit.

Marketing

Nga bankat thonë se do t’i respektojnë letërnjoftimet e qytetarëve me emrin e vjetër Republika e Maqedonisë të cilëve nuk u ka kaluar afati i vlefshmërisë, ndërsa KSHZ sqaron se sipas dispozitave aktuale të Kodit Zgjedhor, futen të gjithë shtetasit e moshës madhore me dokumente të vlefshme identiteti. Qytetarët të cilët pas datës 12 shkurt do të kenë letërnjoftime të vlefshme me emrin e vjetër Republika e Maqedonisë, nuk do të kenë asnjë pengesë në sportelet e bankave dhe nuk do të kenë asnjë problem gjatë votimit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të 24 prillit dhe në zgjedhjet parlamentare të tetë majit. Pa asnjë problem mund të tërhiqen paratë nga bankat dhe të ushtrohet e drejta e votës. Nga bankat jo zyrtarisht thonë se do të respektojnë letërnjoftimet e qytetarëve me emrin e vjetër Republika e Maqedonisë të cilëve nuk u ka kaluar afati i vlefshmërisë. Gjatë kësaj jave pritet një qëndrim zyrtar i Shoqatës së Bankave të Maqedonisë që do ta konfirmojë këtë si rregull për të gjitha bankat.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thotë se sipas dispozitave aktuale të Kodit Zgjedhor, në Listën Zgjedhore regjistrohen të gjithë shtetasit madhor me dokumente personale të vlefshme. Në proces janë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat duhet të harmonizohen me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ndërsa KSHZ-ja thotë se në mesin e rekomandimeve ka pjesë që tregojnë se qytetarëve nuk duhet t’i mohohet apo kufizohet e drejta e votës, dhe në lidhje me problemet dhe pengesat në lëshimin e dokumenteve personale.

Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme rikonfirmoi për media se qytetarët që nuk arrijnë të zëvendësojnë letërnjoftimet me emrin e vjetër kushtetues të shtetit, nuk do të pësojnë asnjë pasojë për sa i përket gjobave apo mohimit të së drejtës së votës. MPB-ja thotë se nga 5 korriku 2021 deri më 31 dhjetor 2023, 1.007.855 qytetarë kanë lëshuar letërnjoftime të reja me emrin kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut. Numri i pasaportave të ndryshuara është më i madh dhe për të njëjtën periudhë arrin në 1.169.463, si dhe janë lëshuar 529.799 patentë të reja shoferi. Sipas të dhënave të MPB-së dhe duke pasur parasysh se rreth gjysmë milioni njerëz në Maqedoni janë të mitur, rezulton se rreth 300 mijë qytetarë të tjerë nuk kanë ndërruar letërnjoftime. (koha.mk)

Marketing
Exit mobile version