Ballina Lajme Maqedoni Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve në “Ditët e Alfabetit”

Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve në “Ditët e Alfabetit”

“Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve” ishte tema e ditës së sotme të manifestimit tradicional kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh, me ç’rast referuan studiues të njohur të letërsisë shqiptare.
Në fjalën e hapjes, udhëheqësi i Departamentit të Letërsisë Shqipe në ITShKSh, Emin Azemi, tha se arbëreshët i mbajti gjallë letërsia, qoftë ajo gojore apo e shkruar, kurse figurat historike, siç ishte ajo e Skënderbeut, për arbëreshët e Italisë përveç që nënkuptonin atdheun e të parëve, ato ishin edhe bërthama tematike e fabulare e krijimeve të tyre artistike. Kultura arbëreshe në përgjithësi dhe letërsia në veçanti për botën shqiptare paraqet kalendarin më të ndritshëm kulturologjik e emancipues. Letërsia artistike dhe gazetaria fillin e ka tek arbëreshët me poemën Këngët e Milasoas të De Radës dhe me të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, gjithashtu e De Radës, në të cilën ai shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës, u shpreh Azemi.
Më tutje, studiuesi i njohur Anton Nikë Berisha nga Universiteti i Kalabrisë, foli në temën “Rreth letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, Hamit Xhaferi nga Universiteti i Evropës Juglindore iu qas temës “Mbi disa veçanti të letërsisë arbëreshe”, Kamber Kamberi nga Universiteti i Gjakovës foli në temën: “Mbi krijimtarinë e Françesk Anton Santorit”. Studiuesi nga Universiteti i Shkupit Zeqirja Neziri referoi në temën: “Gjella e Shën Mërís Virgjër” (1762) e Jul Varibobës, Labinot Berisha në temën: “Neumenia” e Anton Santorit, tragjedia e parë në gjuhën shqipe (botimi i Prishtinës)”, dhe Arben Veselaj paraqiti kumtesën “De Rada, një pamje johistoriciste”. Studiuesi Arben Fetoshi pati një qasje të zgjeruar rreth librit “Triptikon arbëresh” të autorit Arben Veselaj.
Dhe krejt në fund, këngëtari i njohur Ilir Shaqiri, solli emocione të veçanta me interpretimin e këngës më të re nga repertori i tij me titull “Baladë për Zef Kakocën”, që i kushtohet kantautorit dhe artistit të madh arbëresh Zef Kakoca, i cili kohë më parë iku në amshim.
Në “Ditët e Alfabetit -2021” në vijim do të ketë aktivitete të njëpasnjëshme deri më 22 nëntor, me ç’rast nga studiues të ndryshëm do të shtjellohen temat: “Gjuha arbëreshe, dëshmia kryesore e mbijetimit”, “Françesko Altimari studiues i gjuhës dhe i letërsisë arbëreshe”, “Matteo Mandala studiues i letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe”, “Anton Nikë Berisha studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Muzika arbëreshe”, etj.

Marketing

Exit mobile version