Lëvizja Demokratike: BDI ndanë 53 mijë denarë për kokë nxënësi në Studeniçan, ndërsa 267 mijë denarë në Novo Sellë

Të nderuara media, të nderuar qytetarë, jemi para Jush për ta shprehur indinjatën tonë të thellë për shkak të goditjes së rëndë dhe të ultë që Ministria e Arsimit ia bën arsimit në Komunën e Çairit, por edhe në atë të Tetovës e Studeniçanit. Bëhet fjalë për shkurtimin e bllok dotacioneve për shkollat e këtyre komunave, të cilat tashmë edhe zogjtë e malit e dinë se pse po e pësojnë kaq rëndë.
Opozitarizmi në demokraci është vlerë, kurse te ne, sipas logjikës së qeverisë BDI-LSDM, na qenka antivlerë. Ndaj, sipas tyre, hakmarrja është masa më e mire e disiplinimit dhe heshtjes. Po ç’faj kanë nxënësit e shkollave të këtyre komunave?
Dikujt në Qeveri i është “mbushur” mendja se planifikimi i bllok dotacioneve për arsimin fillor për vitin 2024 për Komunën e Çairit mjafton të jetë në vlerën e 525 milionë denarë, duke mos u brengosur fare se vetëm për rroga të punëtorëve në 10 shkollat fillore si dhe regresi i cili nga ky vit është i obligueshëm, nevojiten 500 milionë denarë. Pjesa e mbetur prej 25 milionë denarë është më shumë se simbolike për mbulimin e të gjitha harxhimeve tjera si: ngrohjen qendrore, energji elektrike harxhimet e tjera elemetare për të funksionuar mësimdhënia, mirëmbajtja e objekteve, transporti i nxënësve e kështu radhë.
Skandaloze janë edhe krahasimet e bllok dotacioneve për kokë të nxënësve. Kështu, për shembull, në Çair bllok dotacionet për kokë të nxënësve kapin shifrën e 62.365 denarëve, kurse në Vevçan (komunë maqedonase) 138.256 denarë, në Novo Sellë (komunë maqedonase) 267.058 denarë. Por, edhe më keq është në Komunën e Studeniçanit (komunë shqiptare) vetëm 53.771 denarë.
Alarmante janë edhe të dhënat tjera, të cilat të tregojnë për gjendjen e rëndë në shkollat me mësim sidomos në gjuhën shqipe. Bëhet fjalë për mungesën e mësimdhënësve, përkatësisht për mbushjen e klasave me më shumë se 30 nxënës, ndaj dhe mesatarisht, bie fjala, në Çair, kemi 1 arsimtar në 15 nxënës, në Haraçinë në 16 nxënës, Studeniçan në 15 nxënës, Tetovë në 11 nxënës, kurse në Vevçan 1 arsimtar në 6 nxënës, Vallandovë në 5 nxënës, Strumicë në 9 nxënës etj.
Këto të dhënë tregojnë qartë për gjendjen në arsimin shqip, por edhe për anën tjetër të medaljes, për politizimin e kësaj shtylle të rëndësishme të shoqërisë sonë, të cilit fatkeqësisht i kontribuojnë disa konjuktura qeveritare, përfshi edhe dy drejtuesit kryesore të dikasterit të Arsimit, të cilët ndonëse janë shqiptarë, për interesa partiake nuk çajnë kokën për dëmin që e bëjnë.
Në vend se Ministria e Arsimit të këmbëngulë në përmirësimin e rezultateve të dobëta të dala nga testimi PISA, ajo e thellon akoma edhe më tepër humnerën në të cilën ka rënë arsimi. Po ç’faj kanë nxënësit shqiptarë që duhet ta pësojnë kaq keq? BDI-ja duhet ta kuptojë se nxënësit nuk janë pjesë e politikës, prindërit e të cilëve kontribuojnë në buxhetin e shtetit si çdo prind tjetër, përfshi edhe ata që jetojnë e veprojnë në komunat që i drejton pikërisht BDI.
Lëvizja Demokratike kërkon që Qeveria, ta shqyrtojë këtë vendim dhe ndarjen e bllok dotacioneve ta bëjë në mënyrë objektive, pa tendenca dhe pa logjikën e hakmarrjes, e cila gjithnjë e më shumë po vije në shprehje nga eksponentë qeveritar.
Rrahim Maksuti, përfaqësues i Lëvizjes Demokratike

Marketing