Nga 1 janari i vitit të ardhëm, qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen. Interesimi i qytetarëve për të vizituar vendet e ndryshme të Evropës është i madh. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk vlen për shkollim e punësim, apo qëndrim afat gjatë, por vetëm për vizita afatshkurtra familjare.
Sipas qytetarëve që kanë qenë të interesuar për t’i parë kriteret për të dalë jashtë vendit, kriteret që kërkohen janë të ashpra.
Qytetari Zymer Mramori tha se do të shkojë në Berlin për vizitë familjare në pranverën e vitit të ardhshëm, por sipas rregullave kërkohet depozita e disa parave në bankë, e sipas tij këto kritere janë të ashpra.
“Jo për punë, po për me vizituar tre vëllezër e dy motra, i kam atje, por po duhet me i lënë disa para në bankë, ishin goxha disa kritere të ashpra”, tha ai.
Ndërsa, Sokol Krasniqi, mendon se më shumë është krijuar një joshje ‘artificiale’ për të rinjtë, për të dalë jashtë nëpërmjet promovimeve të ndryshme. Ai thotë se perëndimi ka rregulla tjera për punësim.
“Më shumë e marr si çështje teknike, që mos me pritë para ambasadave, sesa ndonjë joshje e veçantë që na ofron. Kjo është një thirrje për të rinjtë “Vizitoni Evropën, por Kosova do të duhej të ishte shumë e rëndësishme dhe prioritet për neve, nuk ka si Kosova askund”. Unë mendoj që më shumë është krijuar një joshje artificiale, nëpërmjet promovimeve të ndryshme se “bota perëndimore është parajsë” por mund të them me përgjithësi të plotë se nuk është e tillë… Atje ka rregulla tjera në aspektin e punësimit, e kohës së lirë kështuqë “kënaquni rini në Kosovë , sepse jashtë ju pret një botë tjetër”, shtoi Krasniqi.
Po ashtu, Fisnik Haradinaj, tha se çdo qytetarë është i obligueshëm t’i ketë në xhirollogaritë e tyre nga 3500-3800 euro.
“E kam bërë plan, nga janari për me e vizitua Anglinë kur të hiqen vizat dhe Gjermaninë. Unë besoj që kjo është vetëm vizitë, për me i vizitua shtetet nuk e besoj që është për punë…Është e obligueshme që prej 3500 apo 3800 euro me i pasur secili qytetar në xhirollogari”, theksoi ai.
Fatmir Muçolli i cili jeton në Gjermani, tha se duhet të kthehet vetëdija dhe ndërgjegjja tek qytetarët, sepse nuk është e lehtë siç mendojnë për me shkuar në mërgim. Ai tha se paga mesatare e punëtorëve të pa kualifikuar ose ora është 12 euro bruto.
“Unë jam gjerman në status, nuk e kam problem për atë punë, por e kam problem çka me bërë për këtë vend si me kthyer vetëdijen dhe ndërgjegjen e njerëzve që me punua këtu, dhe rinia me mbet këtu… Unë e kam provuar se çka është mërgimi, nuk është lehtë me shkua në mërgim. Tash është konkurrenca shumë e egër, rroga të mëdha nuk ka më në Gjermani, rroga mesatare atje për punëtorët e pakualifikuar është 12 euro bruto(ora) ,” vijoi Muçolli.
Më 18 prill të këtij viti Parlamenti Evropian miratoi vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në vendet e BE-së nga 1 janari i vitit 2024./Kosovapress