Liderë nga e mbarë bota kanë nderuar senatorin amerikan, John McCain, i cili vdiq në moshën 81-vjeçare nga kanceri në tru.
Flamujt u ulën në gjysmështizë në Shtëpinë e Bardhë, teksa presidenti amerikan, Donald Trump – që shpesh është përplasur me të, madje edhe është tallur me McCain – ka çmuar figurën e senatorit nga Arizona.
“Keqardhja ime e thellë dhe respekti shkon për familjen e senatorit John McCain. Zemrat tona dhe lutjet tona janë me ju”, ka shkruar në Twitter presidenti Trump.
Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, i cili e kishte mundur McCain në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, ka thënë se “ne jemi të gjithë në borxh ndaj tij”.
“John McCain dhe unë ishin pjesëtarë të gjeneratave të ndryshme, me prejardhje të ndryshme, por konkuruam në nivelin më të lartë të politikës. Por kemi ndarë, me gjithë dallimet tona, një besnikëri të diçkaje më të madhe – të idealeve për të cilat brezat e amerikanëve dhe emigrantët kanë luftuar, marshuar dhe sakrifikuar”, ka thënë Obama.
Kryeministri britanike, Theresa May ka thënë se McCain ka “personifikuar idenë e shërbimit mbi vetveten”, ndërkaq presidenti francez, Emmanuel Macron e ka quajtur senatorin “një hero të vërtetë amerikan, zëri i të cilit do të mungojë”.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka thënë se McCain ka qëndruar për një Amerikë “që është e besueshme dhe e afërt me partnerët… që ndërmarrë përgjegjësi të mëdha për të tjerët dhe qëndron prapa vlerave dhe principeve edhe në kohë të vështira”.
Mediat raportojnë se në ceremoninë mortore të McCain pritet të flasë ish-presidenti Obama dhe ish-presidenti George W.Bush.
Trump, megjithatë nuk pritet të marrë pjesë në ceremoni. Nënpresidenti amerikan, Mike Pence pritet të përfaqësojë administratën amerikane në ceremoninë mortore.
McCain, gjashtë herë senator republikan nga Arizona dhe heroi i luftës që ka duruar gati gjashtë vjet torturë dhe robëri në burgun famëkeq Hanoi Hilton, vdiq më 25 gusht. Ai ka lënë pas gruan dhe pesë fëmijë.