Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel në ditën e parë të Samitit të Liderëve të BE-së, që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor.
Vuçiç tha se pjesëmarrjen në samitin e ardhshëm të BE-së e ka diskutuar në mëngjes me video-lidhje me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski.
“Kemi shkëmbyer gjithashtu mendime për hapat e ardhshëm të nismës sonë Ballkani i Hapur – panairi i verës, i cili do të mbledhë verëtarët më të mirë nga rajoni, si dhe për takimin e ardhshëm, ku do të diskutojmë çështje të shumta me interes për qytetarët tanë”, tha Vuçiç .
“Së bashku po luftojmë për një perspektivë të qartë të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunim edhe më të fortë dhe lidhje më të mira”, shtoi presidenti serb.
Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjerogjisë.