Liderët e BE-së sot dhe nesër do të vendosin nëse Maqedonia e Veriut mund të fillojë bisedime

Në Bruksel pasdite fillon samiti dyditor i liderëve të BE-së ku një nga pikat e diskutimit do të jetë vendimi për fillim të negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Marketing

BE nuk arriti të arrijë kompromis për këtë pikë, tashmë një vit e gjysmë, para së gjithash shkaku i kundërshtimit të Francës e cila konsideron se së pari duhet të reformohet procesi i bisedimeve me shtetet kandidate para së të jepet dritë e gjelbër për vendet e tjera. Derisa shumica më e madhe, anëtarë të BE-së konsiderojnë se duhet të jepet dritë e gjelbër për Maqedoninë e Veriut që të ruhet kredibiliteti i Unionit.

Gjasat për Shqipërinë janë pothuajse joekzistuese, gjë e cila ishte konfirmuar mes rreshtash nga ana e presidentit francez Emanuel Makron i cili e potencoi problemin me kërkesat e mëdha për azil nga Shqipëria pasi është hequr regjimi i vizave për këtë vend.

Tani për tani nuk është e qartë nëse zgjerimi do të jetë në rend dite sot ose nesër, kryetari i Këshillit Evropian duhet të precizojë agjendën e bisedimeve nesër.

Një numër i madh i shteteve anëtare janë të qëndrimit se Franca do të kërkojë diçka për kthim që të lëshojë për Maqedoninë e Veriut, një nga problemet e Parisit është marrëveshja rreth kornizës shtatëvjeçare financiare të BE-së dhe mjetet vetanake të Unionit, ku është në konflikt me Gjermaninë. Parisi kërkon të mbahet nivel i kënaqshëm i mjeteve për politikë të përbashkët bujqësore për të cilën disa shtete anëtare konsiderojnë se është e vjetruar dhe se duhet të reformohet, ose të zvogëlohen mjetet financiare që janë dedikuar. Franca poashtu do të kërkojë nga partnerët evropian taksë mbi karburantet e avionëve dhe anijeve.

Kryeministri Zoran Zaev dje në tentimin e fundit të bind liderët evropian të mbajnë premtimin ndaj vendit e ka vizituar Brukselin ku është takuar me komisarin për zgjerim Johanes Han, me presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk dhe presidentin e Parlamentit Evropian, David Maria Sasoli.
“Pas gjithë asaj që e bëmë jemi të bindur se duhet të marrim vendim për fillimin e negociatave me BE-në tani dhe menjëherë. Jemi të gatshëm për këtë politikisht dhe në mënyrë institucionale.

Secila shtyrje do të lexohet si vendim negativ dhe do të ketë pasoja shumë negative, nivel të lartë të dëshpërimit te qytetarët dhe te të gjithë ata të cilët e mbështetën zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, porositi kryeministri Zoran Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp në Bruksel me eurokomisarin për Zgjerim Johanes Han.
E kuptojmë, theksoi kryeministri, se disa anëtare kanë nevojë që të hapin debat për metodologjinë e re për negociatat, por të dyja proceset mund të ecin paralelisht.

“Kjo nuk pengon që të marrim vendim për negociata tani dhe menjëherë. Na duhet vendim pozitiv tani dhe menjëherë. Kjo nënkupton për ne proces të ri dhe punë e mundimshme. Pas 10 rekomandimeve të BE-së, përfundimet optimiste të Këshillit të BE-së në vitin 2018 dhe 2019 dhe të gjitha rezultatet dhe reformat, pas gjithë punës që bëmë jemi të bindur se duhet të fillojmë me negociatat”, tha Zaev.

Ai përkujtoi se zbatimi i Marrëveshjes së Prespës ka lidhje me hapjen e kapitujve për BE-në.
“Dëshiroj që me qëllim të mirë të tërheq vërejtjen se nëse nuk merret vendimi i pritur pozitiv i merituar për negociata, kredibiliteti i BE-së dhe besimi i qytetarëve tanë mund të vihen në pikëpyetje. Kjo do t’i përforcojë forcat regresive në vendin dhe interesin e palëve të treta në rajon. Për këtë liderë të BE-së mos i shuani yjet e ndritshme drejtë të cilave përpiqemi, mos u bëni pengesë e jona, bëhuni heronjtë tanë”, porositi Zaev.

Eurokomisari për Zgjerim Johanes Han, nga ana e tij, edhe një herë iu bëri thirrje liderëve të cilët do të takohen nesër në Bruksel që të tregojnë pikërisht lidership për këtë çështje.
“I thatë pritjet tuaja nga liderët, ta vendosim fokusin në fjalën lider, presim lidership. Nëse i shihni arritjet politike në dy vitet e fundit, gati se asnjëri vend në Evropë nuk ka ecur një rrugë aq të gjatë, me reforma dhe masa aq të dhimbshme”, deklaroi Han.

Ai shtoi se qytetarët e vendit e meritojnë këtë perspektivë që të mundet të përmirësohet standardi i jetesës dhe të ulet emigrimi, veçanërisht i të rinjëve.

Hani e lavdëroi edhe atmosferën e bashkëpunimit në Kuvend dhe e njohu rolin e luajtur nga të gjithë aktorët e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe përkujtoi se shumica e vendeve anëtare të BE-së “nuk kërkon asgjë përveç se që të japë dritë të gjelbër që të fillojnë të përgatiten negociatat”.

Marketing