Liderët e Bashkimit Evropian do të mblidhen në qytetin portugez Porto më 7 maj për një samit dyditor – i pari ballë për ballë i këtij viti – për të diskutuar mënyra se si të zvogëlojnë efektin e pandemisë në bllokun me 27 anëtarë.
Ata pritet të diskutojnë edhe propozimin e Shteteve të Bashkuara për të shpërndarë teknologjinë që qëndron mbrapa vaksinave kundër koronavirusit, me qëllim të dhënies fund të pandemisë sa më shpejt që është e mundur.
Më 8 maj, liderët e BE-së do ta realizojnë edhe një video-konferencë me kryeministrin indian Narendra Modi, shteti i të cilit është duke u përballur me valë shkatërruese të koronavirusit dhe ka nevojë urgjente për ndihmë ndërkombëtare.
Samiti, që do të realizohet ballë për ballë, është i pari në pesë muaj, pas një takimi të mbajtur në Bruksel në dhjetor të vitit të kaluar për të diskutuar shpenzimet pas pandemisë.
Blloku evropian vlerëson se do të jetë në gjendje të arrijë “imunitet të mjaftueshëm të komunitetit” në periudhë dymujore.
Komisioni Evropian ka propozuar lirimin e kufzimeve për udhëtime në bllokun evropian këtë verë.
Megjithatë, situata me pandeminë vazhdon të jetë e paqëndrueshme, pasi disa vende evropiane po përballen ende me kufizime.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri i Holandës Mark Rutte kanë vendosur të marrin pjesë në takim në mënyrë virtuale, derisa kryeministri i Maltës Robert Abela do të lidhet përmes linkut, pasi është në karantinë.
Pjesëmarrësit e samitit duhet të tregojnë rezultatin negativ të testit PCR për koronavirus, si dhe liderëve u është kërkuar të mbajnë distancën dhe të vendosin maskat.
BE-ja synon të fitojë përkrahje në Porto për tri pika: shkallë punësimi në të gjithë BE-në të paktën 78 për qind, më pas ofrimin e trajnimeve në vit për 60 për qind të popullsisë si dhe zvogëlimin e numrit të atyre që rrezikohen nga varfëria apo përjashtimi social.