Lidhja Europiane për Ndryshim: E respektojmë të drejtën e secilit besim, por jemi kundër provokimeve me simbolet fetare

Dje ishim dëshmitarë se në Kodrën e Diellit u vendos një kryq gjigand. Ky
veprim i pamatur e trazoi opinionin. Duke qenë të ndërgjegjshëm për
këtë moment, si dhe duke pasur përvojë me skenarët kur pushtetet ka
shfrytëzuar emocionet e qytetarëve për të krijuar tensione ndëretnike e
ndërfetare, sot jemi këtu për të deklaruar se ne – drejtuesit e subjekteve
të Lidhjes Europiane për Ndryshim – as nuk kemi qenë e as nuk do të
jemi kundër simboleve fetare të asnjë besimi fetar, por as nuk do të
lejojmë që dikush t’i keqpërdorë këto simbole për të krijuar konflikte
mes qytetarëve, pasi simbolet fetare gjithmonë përçojnë porosi për
paqe e jo për konflikte.
Në realitet, në Kodrën e Diellit ka nga një objekt kulti të myslimanëve
dhe ortodoksëve dhe kjo askujt deri më sot nuk i ka penguar. Por, me
vendosjen e kryqit, dje, krijohet përshtypja se dikush qëllimisht synon të
krijojë incidente dhe të krijoj konflikt të ri mes qytetarëve.
I bëjmë thirrje Komisionit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Fetare,
Kishës Ortodokse Maqedonase, Arqipeshkvisë së Ohrit, gjegjësisht
Mitropolisë së Tetovës, që konform kompetencave të tyre të marrin
masa e ta heqin vetë këtë kryq, e mos lejojnë që feja të shdërrohet në
vegël për të krijuar tensione mes qytetarëve tanë.
Njëkohësisht bëjmë thirrje Inspektoratit Shtetëror për Ndërtimtari dhe
Urbanizëm, si organ me kompetenca të drejtëpërdrejta në këtë çështje,
që të veprojë sa më shpejtë në përputhje me detyrat e saj Ne e dimë se
ky institucion është nën udhëheqjen e BDI-së dhe nëse nuk veprojnë do
t'i konsiderojmë partner të heshtur me partitë maqedonase, më parë me
VMRO-DPMNE-në, tash me LSDM-në, ndaj i bëjmë thirrje që urgjentisht
t'i bashkohen aksionit në bazë të detyrimeve të tyre ligjore, sepse nxitje
të tilla janë të pafalshme për këdoqoftë.
Ne jemi dëshmitar të së kaluarës se vendosja e këtillë e objekteve të
kultit, pa leje, pa plan dhe me imponim, gjithnjë është kuptuar si
provokim dhe ka shkaktuar skena të padëshirueshme.
Duke pasur një përvojë të tillë, ne e kemi parë këtë skenar në të
kaluarën, si një parti maqedonase luan luanin, një parti shqiptare luan

Marketing

shqiponjën para zgjedhjeve dhe kur hyjnë në zgjedhje kthehen në një
kotele dhe një harabel, prnadaj ju bëjmë thirrje për paqe, dashuri dhe
respekt të ndërsjellë, i bëjmë thirrje Kishës Ortodokse Maqedonase –
Kryepeshkopatës së Ohrit, që të mos lejojnë të bëhen viktima të
politikave nacionaliste.
Ndërsa BDI-së dhe të gjithë partnerëve të tyre maqedonas, u bëjmë
thirrje që të ndalojnë me keqpërdorimin e simboleve fetare për të
përfituar pikë politike ditore, të dalin urgjentisht në opinion dhe të
kërkojnë nga autoritetet e Kishës Ortodokse që të tërheqin kryqin. Në
këtë mënyrë do të krijohen kushtet që në vend të zhvillohet respekti i
ndërsjelltë dhe bashkëjetesa.
Lidhja Europiane për Ndryshim është e interesuar që komunitetet fetare
në vendin tonë të jenë fisnikërim i jetës shpirtërore të qytetarëve tanë
dhe të mos lejojnë që të instrumentalizohen për qëllime politike.
Sidoqoftë, Lidhja as nuk do të heshtë e as nuk do të bie pre e
provokimeve që synojnë prishjen e paqes, harmonisë dhe
marrëdhënieve ndërtnike e ndër-religjioze në vendin tonë.