Ballina Lajme Maqedoni Lidhja Europiane për Ndryshim: Prej sot do ta bojkotojmë punën në Kuvend...

Lidhja Europiane për Ndryshim: Prej sot do ta bojkotojmë punën në Kuvend derisa të vijë në rend dite anëtari i ynë i KSHZ-së

Sot jemi këtu të deklarojmë se durimi ynë është kah fundi. Ne i apeluam kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, që mos ta uzurpojë të drejtën e opozitës që të jetë e përfaqësuar në KSHZ, por përkundër përpjekjeve tona për respektimin e Kodit Zgjedhor, BDI-ja me çdo kusht shpik pengesa se si të krijojë parakushte për manipulimin e procesit zgjedhor, në mënyrë që ta zbusë humbjen që do t’i ndodhë më 8 maj. Ndërsa, mjeti me të cilin po e kryen këtë detyrë është pikërisht Talat Xhaferi. Sikur të mos u mjaftojnë punësimet partiake, tenderët e montuar, presionet ndaj gjykatësve, portalet partiake, trysnia ndaj të gjithë atyre që nuk mendojnë si ata, e tash u ka mbetur syri edhe te vendi ynë në KSHZ. Prandaj ne jemi këtu që të deklarojmë se prej sot grupi parlamentar i Lidhjes Europiane për Ndryshim nuk do të marrë pjesë në punën e Kuvendit, gjithnjë derisa kandidati ynë për KSHZ, Abdush Demiri, nuk do të vihet në rend dite në seancë plenare. Ky është vetëm hapi i parë. Ne presim që edhe opozita maqedonase t’i mbetet besnike deklarimit se do ta braktisin KSHZ-në nëse opozita shqiptare nuk e merr anëtarin e saj në KSHZ. Në të vërtetë, mbrojtja e të drejtës sonë për antëtar të KSHZ-së nuk është vetëm interes i yni politik, por kështu mbrohen fondamentet për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike. Prandaj, për ne e kotë do të jetë edhe qeveria teknike nëse KSHZ-ja mbetet e pakompletuar ose raporti i anëtarëve aty mbetet 5:2 në favor të pushtetit. Nëse edhe pas kësaj kjo shumicë dhe kryetari i Kuvendit vazhdojnë ta sabotojnë të drejtën tonë për anëtar të KSHZ-së, ne do të jemi të detyruar t’i ashpërsojmë masat e kundërshtimit. Se a do t’i bllokojmë vendvotimet në Çair dhe në Tetovë apo do të ketë ndonjë masë edhe më radikale, këtë do ta shqyrtojmë brenda koalicionit, por derisa kjo shumicë sillet me arrogancë ndaj një të drejte ligjore, ndërsa institucionet e drejtësisë e bëjnë të shurdhëtin, ne nuk ndjejmë më asnjë detyrim ndaj askujt. Vetëm një gjë duhet ta dinë të gjithë – ne për asnjë çmim nuk do të lejojmë mbushje të kutive. Le t’ia mendojë ky pushtet se kush humb nga kjo! Nëse dikujt i konvenon krizë politike dhe tensione, le të dihet se shkaktari i asaj gjendjeje do të jetë qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Që këtu u apelojmë edhe aleatëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe shteteve të BE-së, që ta ndalojnë këtë uzurpim të KSHZ-së, që e imponon BDI-ja, e cila duke dashur të shpëtojë nga humbja, dëshiron të shkaktojnë tensione, ndërsa fajin t’ia lërë dikujt tjetër. Kjo metodë nuk kalon më. Është turp për një vend anëtar të NATO-s, i cili pret t’i fillojë negociatat për aderim në BE, ta problematizojë një çështje kaq të qartë dhe të ligjshme vetëm për shkak se BDI-ja nuk dëshiron të shkojë në opozitë. Sidoqoftë, Lidhja Europiane për Ndryshim do të fitojë me ose pa anëtarin në KSHZ. Ne sigurisht nuk do të lejojmë që të vidhet vullneti i qyetarëve dhe do ta mbrojmë secilën votë me jetën tonë, por le ta dinë ata se as kjo përpjekje nuk i shpëton nga humbja. Së pari do t’i mundim e pastaj do t’i dënojmë për këto shkelje ligjore.

Marketing
Marketing
Exit mobile version