Ligjet e kthyera nga Ivanovi nesër kthehen në seancë

Kuvendi të mërkurën do të kthejë në seancë plenare disa nga ligjet që pas miratimit, nuk u dekretuan nga presidenti Gjorge Ivanov. Deputetët shprehen të gatshëm të mbështesin përsëri këto ligje ashtu siç i kishin votuar paraprakisht. Edhe VMRO-DPMNE-ja nuk do të ndryshojë qëndrimin parësor mbi ligjet në fjalë, një pjesë e të cilëve ishin përpiluar në bashkëpunim me opozitën maqedonase. Ivanov nuk ka dekretuar disa nga ligjet reformuese si ligji për gjykatat, ndryshimet në ligjin për ATO-në, ndryshimet në ligjin për Agjencinë për komunikime elektronike, ligjin kundër diskriminimit, etj. Procedura parashikon rikthim të ligjeve për lexim të tretë në Kuvend, në afat 30 ditor nga miratimi i tyre.

Marketing

“Unë i ftoj kolegët deputetë, pavarësisht nga cila parti politike vinë, që në interes të shtetit të votojnë pozitivisht për ligjet për të cilat presidenti Gjorge Ivanov nuk ka nënshkruar dekretin. Kështu që besoj se këto ligje do të votohen në tërësi”, tha Jagoda Shahpaska, LSDM.

“Ne si deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të bëjmë çmos që pengesat të cilat ai i parashtron t’i tejkalojmë në afat sa më të shkurtër në Kuvend. Ka shumicë të kualifikuar në Kuvend për t’i votuar këto ligje të kthyera në mënyrë jokushtetuese, jo joligjore nga Ivanov”, u shpreh Artan Grubi, BDI.

“VMRO-DPMNE-ja për të njëjtat ligje tashmë ka treguar qëndrim, ka votuar për ato gjoja ligje reformuese të cilat presidenti refuzon t’i nënshkruaj dhe nuk ka nevojë të pritet që qëndrimet e deputetëve të VMRO-DPMNE-së që janë thënë më herët, të ndryshohen”, tha Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

“Në koordinim bisedohen këto çështje, të paktën këto çështje janë prekur. Nuk pres që të ketë diçka spektakolare ose diçka që mund ta dhunojë procesin pasi bëhet fjalë për ligje që deri tani kanë kaluar testin e arsyeshmërisë dhe nuk pres probleme me rivotimin”, u shpreh Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

Marketing