Ligji për Prokurorinë, Ruzhin: Për ambicie të përbashkëta duhet unitet

Profesori universitar, Nano Ruzhin, ish ambasador i vendit në NATO, konsideron se pushteti dhe opozita duhet të arrijnë konsensus dhe të miratojnë propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurori Publike, i cili sanksionon edhe statusin e ardhshëm të Prokurorisë Speciale.

Marketing

Sipas tij, opozita duhet të luajë rol konstruktiv dhe të vë në plan të parë interesin shtetëror, posaçërisht kur bëhet fjalë për ambicie të përbashkëta, siç është integrimi euroatlantik. Për të evituar alternativat e tjera të paralajmëruara nëse dështon miratimi i këtij ligji, Ruzhin rekomandon konstruktivitet dhe bashkëpunim mes palëve.
“Opozita, në një sistem demokratik, zakonisht luan rolin e një kontrollori të pushtetit dhe pavarësisht dallimeve ndihmon në përgatitjen e ligjeve që kërkohen nga BE, si detyrim.”–thekson Ruzhin.

“Sa i takon sjelljes së opozitës, është sjellje joracionale, pasi opozita në Maqedoni nuk ka traditë të tillë që të bashkëpunojë me pushtetin. Aktualisht bëhet fjalë për çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me krimet e mundshme të disa funksionarëve të lartë të opozitës, prandaj ekziston kjo tendencë që t’ia dredh kur bëhet fjalë për akte të caktuara ligjore, siç është Ligji për Prokurorinë Publike. Për fat të keq, kjo po bëhet një lloj shprehie, si ajo shprehja: “Për inat të sime re, më vdektë djali!”, prandaj mendoj se opozita duhet të jetë më reale dhe t’i qaset përgatitjes dhe miratimit të shpejtë të këtij ligji”,- tha profesori universitar, Nano Ruzhin.

Një ditë më parë, Kuvendi miratoi nevojën për miratimin e Ligjit për PTHP dhe Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë. Ligjet do të procedohen me procedurë të shkurtuar, si ligje me prioritet për anëtarësimin në BE. Propozimi nuk u mbështet nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët paralajmëruan se nuk do ta mbështesin as në procedurën e mëtejme parlamentare nëse pushteti nuk pranon amendamentet e tyre. Mirëpo, ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, paralajmëroi alternativa të tjera nëse opozita pengon miratimin e këtyre dy ligjeve.

“Rastet e proceduara nga Prokuroria Speciale duhet dhe do të kenë epilog gjyqësor.”- tha mes tjerash Deskoska. Një kërkesë e tillë vjen edhe nga aleatët e vendit, si NATO dhe BE. (TVM2)