Lista Serbe edhe me një kërcënim për dalje nga institucionet e Kosovës

Lista Serbe të hënën edhe një herë kërcënoi se do të largohet nga institucionet e Kosovës nëse “nuk arrihet një zgjidhje kompromisi për targat dhe dokumentin e hyrje-daljes të Kosovës”.

Marketing

“Së pari ne politikanët, e pastaj të gjithë me radhë, edhe prokurorët, edhe gjyqtarët, edhe policia”, tha Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, gjatë një fjalimi për media të caktuara serbe në veri të Kosovës.

“Në këtë mënyrë do të ketë një shpërbërje totale të dialogut të Brukselit”, shtoi ai.

Lista Serbe ripërsëriti se i ka dhënë mbështetje të plotë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje kompromisi në 10 ditët e ardhshme, por me garanci se nuk do të lejohet “persekutimi dhe pogromi” i popullit serb.

Beogradi zyrtar kundërshton vendimin e fundit të Kosovës për t’u lëshuar dokument për hyrje/dalje atyre që posedojnë dokumente serbe pas hyrjes në Kosovë. Ata posaçërisht janë kundër faktit që një gjë e tillë vlen për serbët në veri të Kosovës, ku janë katër komuna me shumicë serbe.

Serbia ka lëshuar një dokument të tillë për qytetarët e Kosovës që kur për këtë ishte rënë dakord në Bruksel mes dy palëve në vitin 2011.

Përveç atij dokumenti, autoritetet kosovare kanë vendosur edhe që të gjitha automjetet me targa të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës të riregjistrohen në ato të Republikës së Kosovës – RKS. Veturat me targa të tilla si KM, PR e të ngjashme deri më tani kanë lëvizur vetëm në veri.

Për shkak të vendimeve të tilla, serbët në veri ngritën barrikada në këtëpjesë para fillimit të zbatimit të tyre më 1 gusht, për t’i hequr ato pasi Qeveria e Kosovës e shtyu zbatimin për një muaj.

Në takimin e javës së kaluar mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel, nuk u arrit marrëveshje për këtë çështje. Serbia kërkoi që lëshimi i dokumentit të Kosovës të mos vlejë për qytetarët në veri të Kosovës dhe që automjetet të riregjistrohen me targa status-neutrale, KS, në vend të RKS.

Vuçiq tha në konferencën e së dielës se Kosova e refuzoi një gjë të tillë, por shtoi se në 10 ditët e ardhshme do të kërkojë një zgjidhje kompromisi.

Kronologjia e “largimeve” të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës

Por, kërcnimi i Listës Serbe për largimin nga institucionet e Kosovës nuk është gjë e re.

Në mars të këtij viti, presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se, edhe një herë ka “penguar” daljen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës. Kësaj radhe, arsyeja për “gatishmërinë” e tyre për të braktisur këto institucione është, siç kanë thënë ata, “terrori që po kalojnë” dhe për shkak se Prishtina zyrtare nuk po e lejon votimin në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit.

Më 22 mars, Vuçiq u takua në Beograd me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët “jo vetëm që njëzëri i kërkuan që të largohen menjëherë nga institucionet, por edhe që 435 policë në veri të vendit, t’i lënë armët dhe të largohen nga policia rajonale”.

Megjithatë, Vuçiq tha se u kërkoi atyre “durim, tolerancë dhe të numërojnë deri në dhjetë”.

Daljen nga institucionet e Kosovës Rakiq kishe paralajmëruar edhe një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat u mbajtën më 17 tetor të vitit të kaluar.

Në konferencën për media, Rakiq kishte thënë se serbët e veriut të Kosovës do të largohen nga institucionet e të gjitha niveleve, nëse brenda një muaji nuk fillojnë bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pra, në veri nuk do të ketë njerëz në institucionet e Prishtinës”, ishte shprehur Rakiq.
Asociacioni do të duhej të bashkonte dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi./REL

Marketing