Lista Serbe reagon ndaj Albin Kurtit: Po akuzon njerëz të ndershëm, serbët duan paqe

Lista Serbe, ka reaguar ndaj fjalimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili në seancën e Kuvendit publikoi disa emra për të cilët tha se ishin personat përgjegjës që shkaktuan tensione më 29 maj në Zveçan, ku u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it.

Marketing

Përmes një postimi në rrjete sociale, Lista Serbe thotë se Kurti po akuzon pa bazë pjesëtarë të komunitetit serb në veri të Kosovës vetëm pse nuk pajtohen me shkeljen e kushteve themelore dhe të drejtat e njeriut.

Sipas saj, fjalimi i sotëm i Kurtit dëshmon se ai dëshiron përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, ngritje të tensioneve dhe konflikteve ndërsa serbët duan paqe dhe liri.

“Akuzat e sotme të pabazuara dhe vizatimi i një objektivi në ballin e grave serbe dhe serbëve në veri të Kosovës vetëm pse nuk pranojnë të shkelin të drejtat themelore të njeriut tregon karakterin fashist të regjimit të Albin Kurtit. A janë mafiozët, profesorët, mjekët, infermierët, minatorët, qytetarët dhe përfaqësuesit politikë siç i etiketoi Albin Kurti sot në parlament? Sa farsë është gjithçka që tha Kurti sot në Kuvend dhe fakti që ai etiketoi si kriminelë dhe organizatorë protestash njerëz të nderuar, gra, invalidë, madje edhe disa që janë në spital dhe nuk kanë qenë në veri të Kosovës për javë të tëra.

Ekspozimi i sotëm i Kurtit me plot gënjeshtra është dëshmi se ai dëshiron përshkallëzim të mëtutjeshëm të situatës, ngritje të tensioneve dhe konflikteve, kurse serbët duan paqe, liri, kthim të objekteve komunale të tyre dhe fund të persekutimit të bashkëqytetarëve tanë që nuk pranojnë të jenë shërbëtorë të Kurtit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Listës Serbe.