Liverpooli ka bërë një hap të madh drejt arritjes në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur 2:0 Porton në ndeshjen e parë çerekfinale në shtëpi.
Naby Keita dhe Roberto Firmino me dy gola të shpejtë në fillim të takimit ia fituan Liverpoolit ndeshjen e parë çerekfinale kundër Portos të martën në Anfield
Skuadra e Jurgen Klopp do të udhëtojë drejt Portugalisë me një rezultat shumë të favorshëm, sepse përveç se shënoi dy herë, e ruajti portën e paprekur po ashtu, për ndeshjen e kthimit pas një jave.
Liverpooli është në ndjekje të finales së dytë radhazi në Champions dhe trofeut të parë që prej vitit 2005.
Për ndeshjen e tetë më radhë, kosovari i Zvicrës Xherdan Shaqiri u ftua në stol, por nuk u aktivizua fare nga trajneri gjerman.
Të kuqtë e nisen furishëm takimin duke kaluar në epërsi përmes Keita vetëm pas pesë minutave lojë, kur Roberto Firmino e shërbeu atë në cep të zonës së 16-metershit.
Sulmuesi brazilian Firmino e dyfishoi epërsinë e Liverpoolit në minutën e 26-të, duke e futur topin në rrjetë pasi u shërbye nga Trent Alexandre-Arnold.